Muja në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se nuk përjashtohet as mundësia që kjo është bërë nga ana e Ramës edhe si ‘ndihmë’ për presidenten Osmani në kuadër të përfundimit të mandatit.
“Rama di të ofrojë lajme pompoze, jo shumë përmbajtjesore dhe duket që edhe kësaj radhe nuk do të jetë ndryshe. Unë nuk e shoh shumë serioze të vijë ai nga Shqipëria dhe të na tregojë që presidentja jonë që asnjëherë nuk e ka përmendur paska qenë e kërcënuar dhe e paska mbrojtur me kaq heroizëm Zyrën e Presidencës. Nuk e përjashtoj as mundësinë që kjo të bëhet në kuadër të përpjekjeve të Osmanit ta fitojë edhe një mandat. Së fundmi kemi pasur disa shenja që ka përafrim mes Ramës e Osmanit, sado që një kohë të mëhershme Osmani ishte në shënjestër të Ramës”, ka thënë Muja.
Sa i përket protestës së nesërme në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, Muja deklaroi se nuk e bën më madhështor këtë organizim prezenca e udhëheqësve të Kosovës a Shqipërisë, madhështore sipas tij do ta bëjë prezenca e qytetarëve.
“Nuk mendoj që prezenca e një politikani të Kosovës apo Shqipërisë do ta bëjë këtë protestë më madhështore. Mendoj që përcaktues do të jetë numri i qytetarëve që do të marrin pjesë në këtë protestë”, ka thënë Muja.
Analisti Muja ka deklaruar po ashtu që Rama e Kurti do të duhej të kishin përafrim në raporte, ndonëse sipas tij nuk ka parë kurrë hezitim të Kurtit në këtë aspekt.
“Të dy liderët duhet të afrohen për interesa më të larta e nacionale sepse në fund të fundit nuk janë aty për veten a për egon e tyre. Nuk kam parë kurrë hezitim nga Kurti, vërejtjet i kam për Ramën i cili më herët ka pasur sjellje që nuk do të duhej kurrë të kishte ndaj një shteti mik e sidomos ndaj Kosovës që qasjen do të duhej ta kishte shumë më miqësore”, ka deklaruar Muja.
Muja: Osmani nuk është kandidatja më e preferuar e Kurtit, kam informacione se ka takuar deputetë të partive të tjera
Analisti politik, Basri Muja, ka thënë se nuk i konvenojnë askujt edhe një palë zgjedhjeve duke iu referuar çështjes së presidentit në rast se nuk arrihen votat e nevojshme për një kandidat deri më 4 mars.
Muja në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se është i sigurt që Vjosa Osmani, nuk është e preferuara e Lëvizjes Vetëvendosje edhe për një mandat tjetër si presidente.
“Duhet marrëveshje politike por duhet që edhe partitë opozitare të vijnë me ofertën e tyre. Partitë opozitare është dashur ta sfidojnë LVV-në me një kandidat të pavarur, konsensual i cili do të ishte i pranueshëm pse jo edhe për një spektër më të gjerë politik, pse jo edhe për vetë Lëvizjen Vetëvendosje. Jam i sigurt që Vjosa Osmani nuk është kandidati më i preferuar i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë. Së pari ajo nuk është në kuadër të partisë, së dyti sado që në planin e jashtëm ka pasur rol të rëndësishëm, në planin e brendshëm shpesh ka pasur fërkime me Qeverinë, ato deklaratat e saj me ‘bixhozin’ janë të papranueshme dhe besoj që Kurti e ka parasysh një gjë të tillë”, ka thënë Muja.
Muja ka thënë po ashtu se ka informacione që Osmani ka zhvilluar takim jo vetëm me krerë të partive politike por edhe deputetë të partive të caktuar ku u ka kërkuar ta votojnë si presidente.
“Kam informacione që Osmani është takuar jo vetëm me krerë të partive politike por edhe me deputetë të partive të caktuara dhe iu ka kërkuar ta votojnë si presidente. Shpresoj shumë se partitë politike nuk do të sillen sikurse gjatë kohës sa institucionet e Kosovës ishin në ngërç. Megjithatë edhe nëse Osmani nuk zgjidhet sërish presidente, nuk e shoh si dikë që do të shkojë në pension. E shoh si një person shumë ambicioze dhe me shumë opsione, nuk e përjashtoj mundësinë as të kthehet në LDK, duke e pasur parasysh sa shumë probleme të mëdha ka me lidership kjo parti dhe do ta sfidonte shumë Kurtin në atë pozitë”, ka thënë Muja.