Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për rrënimin e 11 vilave të ndërtuara ilegalisht pranë liqenit të Ujmanit. BE-ja ka vlerësuar se nuk është respektuar procedura e rregullt ligjore dhe ka kritikuar autoritetet e Kosovës për këtë, teksa edhe ambasada britanike dhe ajo gjermane kanë shprehur shqetësimin e njëjtë
Ilirjana Thaqi
Përfaqësi diplomatike në Kosovë janë vënë në mbrojtje të vilave ilegale të ngritura përgjatë brigjeve të liqenit të Ujmanit në veriun e banuar kryesisht me serbë, e 11 nga të cilat që ndodheshin në pronën e ndërmarrjes Ibër Lepenci, u rrënuan një ditë më parë, gjatë një aksioni të autoriteteve të Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka shprehur keqardhje për rrënimin e disa vilave. Në reagimin e saj, thuhet se nuk është respektuar procedura e rregullt ligjore dhe se kjo nuk është hera e parë që ndodh.
“BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës. BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, thuhet në reagim.
Në reagim e BE-së është bërë thirrje që aksioni të ndalohet dhe që autoritetet të bashkëpunojnë me pronarët e vilave për të gjetur zgjidhje “të ligjshme”.
Edhe
"Ibër-Lepenci" u kërkon banorëve te Ujmani të dorëzojnë dëshmi të pronësisë, brenda 7 dite
Zyra e BE-së në reagimin e saj ka përmendur edhe rolin e Policisë së Kosovës në aksion, e që ishte mbështetës.
“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrenë shqetësime serioze për sundimin e ligjit”, thuhet në reagim
Shqetësimin e BE-së e ka ndarë edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, e cila ka shpërndarë reagimin e kësaj zyre, duke shtuar se është “thellësisht e shqetësuar për prishjen e shtëpive në liqenin e Ujmanit”.
Edhe Ambasada e Britanisë ka reaguar.
“Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku të prekurit mund të ushtrojnë të drejtat e tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportet se veprimet zbatuese kanë vazhduar ndërsa procedurat ligjore janë ende duke u zhvilluar. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, t’i adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të dëmtojnë besimin e publikut ose besimin ndërkomunitar”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Në veri, ku u zhvillua aksioni, veprojnë ende disa struktura ilegale të Serbisë.
Edhe
Britania e shqetësuar për rrënimin e vilave pranë Ujmanit
Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.
Para gati dy vjetësh, ndaj kanalit të Ibër Lepencit që furnizohet me ujë nga Ujmani ishte kryer sulm terrorist. Për këtë akt, të akuzuar janë Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq si dhe Igor Dimiq, të cilët po gjykohen.