Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ankesa për çmimet e larta, qytetarët thonë se me vështirësi po i përballojnë shpenzimet

cmime

Në Ditën Botërore të Konsumatorit janë ngritur shqetësime për rritjen e vazhdueshme të çmimeve në Kosovë, mungesën e kontrollit në treg dhe ankesat e shumta të qytetarëve për koston e jetesës. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë thonë se konsumatorët po përballen me çmime të paqëndrueshme dhe me vështirësi për t’i përballuar shpenzimet ditore.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha se niveli i informimit dhe vetëdijesimit të konsumatorëve në vend varet edhe nga përmbushja e obligimeve që kanë institucionet ndaj tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai kërkoi nga Qeveria të ketë një ministri të mbrojtjes së konsumatorit.

“Ne jemi aq të informuar, të edukuar me aq sa qeveria e përmbush mandatin e vet që është edhe kjo informimi, edukimi, arsimimi dhe krijimi i kushteve për arritjen dhe ngritjen e nivelit kulturor, konsumator në vazhdimësi si dhe vetëdijesimi që në këtë vazhdë ne të jemi edhe partnerë të shtetit.. MINT-i e ka brenda saj Departamentin e mbrojtjes së konsumatorit, por që ky departament është në konflikt interesi, sepse ndodhet aty ku janë edhe bizneset ndaj të cilave ne shpeshherë kemi ankesa.. Të ketë ministri të mbrojtjes së konsumatorit, ose në kuadër të MINT-it, zëvendësministri të jetë dikush nga shoqëria civile e konsumatorit me të drejtë vetoje të të gjitha vendimeve që dëmtojnë qytetarin konsumator”, tha Kaçaniku.

Ai theksoi se një nga problemet kryesore mbetet politika e çmimeve dhe importet pa kontroll, për të cilat thotë se ka shumë ankesa nga qytetarët.

Kaçaniku kërkon që institucionet përkatëse të mos u shmangen obligimeve ndaj qytetarëve konsumatorë.

“Politikën e çmimeve e shikojmë shumë thjesht, por në të vërtetë është një shkelës i vërtetë. Importi pa kontroll, kam kërkuar nga Qeveria që në të gjitha ambasadat që ne kemi tregti të zhvilluar të kemi dhe përfaqësues tregtarë, konsultë që do ta përcjellë këtë sektor, por kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi shumë ankesa në cilësinë, sasinë, çmimin e importeve. Çdo produkt i importuar duhet të jetë më i lirë se në shtetin e origjinës. Ne kemi të kundërtën çmimet më të larta, cilësinë më të ulët e sasinë, kemi shumë probleme që duhet t’i marrim seriozisht. Qeveria nuk duhet t i shmanget obligimeve ndaj nesh”, shtoi ai.

Ndërsa, qytetarët konsiderojnë se ndryshimet e shpeshta të çmimeve dhe mungesa e rregullimit në treg po i rëndojnë gjithnjë e më shumë.

Qytetari Mustafë Ahmeti tha se çmimet ndryshojnë shpesh nga një ditë në tjetrën dhe se nuk ka kontroll të mjaftueshëm ndaj bizneseve.

“Jemi të informuar, por nuk po i përmbahen rregullave fare. Çmimet sot i ke një çmim, nesër dyfish, nuk ka rregullim të çmimeve fare dhe për konsumatorin është më së keqi. Nuk ke ku të drejtohesh, sot e dënon nesër prapë vazhdon ashtu. Nuk ka rregullim në treg, çdo market, asnjë nuk ka artikujt njëjtë, ku të shkosh sheh ndryshime 100 për qind, brenda dite e ndërron çmimin.. Abuzim totalisht, të gjitha firmat që veprojnë në Kosovë, kanë gjetur livadhe dhe po i kullotin”, tha ai.

Edhe qytetari Nezir Haxholli u shpreh se rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme për shumë familje, sidomos për pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta.

“Nuk janë askund në përputhje me nene, nuk ka të ardhura, një pension 150 euro, çka të bëjmë me to, me rrymë me të gjitha po u rriten çmimet. Jo të larta, por mbi kokë na kanë hypë, dikush e ndien shumë skamjen. Së pari benzina mbi 1.55 euro, prej benzinës e këndej të gjitha po ngritën. Ajo ka ndikuar, është numër një”, u shpreh Haxholli.

Sipas të dhënave zyrtare , në disa muaj të vitit 2025 inflacioni vjetor në Kosovë ka qenë rreth 4–5 për qind. Në tetor 2025 çmimet e konsumit ishin mesatarisht 5.1 për qind më të larta se në tetor 2024, ndërsa në nëntor 2025 rritja mesatare ishte rreth 5.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Produktet që u shtrenjtuan më së shumti gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë energjia elektrike deri rreth 15–20 për qind në disa periudha, frutat mbi 15–16 për qind, kafe, çaj dhe kakao rreth 13–17 për qind, mishi rreth 12–13 për qind si dhe qumështi, djathi dhe vezët mbi 7–10 për qind.

Ndërsa, në shkurt 2026 inflacioni vjetor arriti rreth 6 për qind, rritja mujore ishte rreth 0.6 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve që nga viti 2023./KSP