Në episodin e 53-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, të ftuar janë Ardian Hackaj nga Tirana, Ilirana Gjoni nga Ulqini e Lura Pollozhani si përfaqësuese e Maqedonisë së Veriut.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPollozhani: Hyrja e Malit të Zi në BE mund ta ndryshojë krejt debatin politik në Maqedoninë e Veriut
Hulumtuesja Lura Pollozhani ka deklaruar se një avancim i Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ndryshimin e klimës politike në Maqedoni e Veriut.
Në podcastin “PIKË”, gjatë bashkëbisedimit me publicistin Veton Surroi, Pollozhani foli për krizën politike dhe mungesën e shtysës për reforma kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Sipas saj, BDI-ja nuk po arrin të funksionojë mirë në opozitë dhe po refuzon të reformohet nga brenda.
“Kemi një BDI që edhe pse mori më shumë vota, doli në opozitë dhe nuk di të sillet në opozitë”, ka thënë ajo.
Pollozhani kritikoi edhe koalicionin shqiptar në pushtet, VLEN, duke thënë se ka ndikim të kufizuar në qeveri për shkak të numrave të vegjël dhe raportit me VMRO-DPMNE.
“VMRO-ja ka aq pak nevojë për ata në qeveri, saqë kjo e pamundëson influencën e tyre”, deklaroi ajo.
Sipas Pollozhanit, aktualisht nuk ekziston ndonjë forcë e fuqishme politike që do t’i shtynte ndryshimet kushtetuese të kërkuara për procesin eurointegrues, pasi edhe LSDM-ja ndodhet në pozitë të dobët politike.
Ajo shtoi se një pjesë e opinionit publik në Maqedoninë e Veriut i sheh ndryshimet kushtetuese si “poshtërim”, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon të perceptohet si një aktor jo plotësisht i besueshëm.
“Por me hyrjen e Malit të Zi ndryshon kjo”, u shpreh Pollozhani.
Gjoni: Malit të Zi i rriten gjasat për anëtarësim në BE nëse hyn bashkë me Islandën
Ekspertja e “Carnegie Europe”, Iliriana Gjoni, ka deklaruar se Mali i Zi mund t’i rrisë gjasat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nëse procesi i ratifikimit në vende si Franca lidhet njëkohësisht edhe me Islandën.
Në podcastin “PIKË”, gjatë diskutimit me publicistin Veton Surroi, Gjoni foli për sfidat politike që mund ta përcaktojnë rrugëtimin evropian të Malit të Zi.
Ajo ka thënë se në Francë zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk shihet si temë e favorshme politike dhe se pothuajse asnjë subjekt politik nuk dëshiron ta lidhë fatin e vet me këtë proces.
“Ose me referendum. Dhe ideja është për t’ia rritur shanset Malit të Zi, mbase që pyetja e referendumit të ketë Islandën dhe Malin e Zi brenda, që shanset të jenë më të larta”, deklaroi Gjoni.
Sipas saj, megjithëse në Bashkimin Evropian ekzistojnë dyshime për elemente pro-ruse brenda qeverisë malazeze, fakti që po ruhet një lloj konsensusi politik po shihet pozitivisht në Bruksel.
“Në BE ekziston një lloj dyshimi mbi elementet pro-ruse që janë brenda Qeverisë, duke nisur nga presidenti i Kuvendit, Andrija Mandiq, mirëpo fakti që po arrihet të mbahet një lloj konsensusi shihet pozitivisht”, shtoi Gjoni.
Gjoni theksoi gjithashtu se edhe një pjesë e qytetarëve të Malit të Zi që identifikohen si serbë vazhdojnë ta mbështesin anëtarësimin në BE dhe e shohin të ardhmen e tyre brenda unionit evropian.
Hackaj: BE-ja shpesh fokusohet te emrat e përveçëm në procesin e integrimit
Ekonomisti nga Tiranë, Ardian Hackaj, ka deklaruar se Bashkimi Evropian shpesh e fokuson vlerësimin ndaj vendeve kandidate te figura apo raste të caktuara politike, në vend se vetëm te standardet institucionale.
Në bashkëbisedimin në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Hackaj komentoi diskutimet rreth procesit të integrimit të Shqipëri në Bashkimin Evropian dhe çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Surroi ka thënë se në qarqet evropiane emri i deputetes socialiste dhe ish-ministres Belinda Balluku është shndërruar në “sinonim për Shqipërinë”, duke shtuar se shtete si Holanda, Franca dhe Gjermania kërkojnë dëshmi konkrete se askush nuk është mbi ligjin. Balluku po hetohet për akuzat për korrupsion, por Kuvendi i Shqipërisë voto për të mos ia hequr imunitetin pas kërkesës së SPAK-ut.
“Shqipëria nuk e përmbush IBAR-in, nuk mund të shkojë tutje nëse nuk dëshmon qartazi se disa prej njerëzve nuk janë më të paprekshëm se të tjerët”, ka thënë Surroi.
Ndërkaq, Hackaj u shpreh se pajtohet me idenë që politikanët duhet t’i hapin rrugë drejtësisë kur përballen me dyshime, por theksoi se kjo mbetet më shumë çështje etike sesa detyrim ligjor.
“Nga ana tjetër, kjo tregon ndonjëherë edhe fokusimin e BE-së në emra të përveçëm. Është shumë kollaj për ta kuptuar dhe për ta sjellë në tavolinë”, deklaroi ai.
Në debat, Hackaj ngriti edhe pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse parlamenti shqiptar do të pranonte një kërkesë të re të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Atëherë çfarë? Në mënyrë automatike hapet IBAR-i?”, pyeti ai.
Surroi: Etnikisht, shqiptarët janë populli më proevropian në rajon
Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se shqiptarët, në bazë të të gjitha matjeve dhe sondazheve, rezultojnë si populli më proevropian në rajon dhe ndër më proevropianët edhe më gjerë.
Në podcastin “PIKË” ku u diskutua shqip për Bashkimin Evropian, Surroi ka thënë se mbështetja për integrimin në Bashkimin Evropian është dukshëm më e lartë te shqiptarët në krahasim me shoqëritë tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Etnikisht shqiptarët janë më proevropianët sot, besoj, në bazë të këtyre matjeve. Për Ballkanin Perëndimor, po e po, e mund të ketë edhe për vende të tjera”, deklaroi ai.
Megjithatë, Surroi vlerësoi se kjo mbështetje nuk përkthehet domosdoshmërisht në politika transformuese që do ta afronin më shpejt rajonin drejt anëtarësimit në BE.
Ai përmendi edhe ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke thënë se vetëm një vit më parë pritej që Shqipëri dhe Mali i Zi të ishin shumë afër përmbylljes së negociatave për anëtarësim.
Sipas tij, zhvillimet politike dhe historike mund ta ndryshojnë tërësisht drejtimin e proceseve integruese.
“Këto kthesat historike, një herë kur ta merr kthesën, nuk di ku të çon, është si në autostradë kur e gabon rrugën edhe pastaj duhet ta rigjesh”, u shpreh Surroi.