Arbëri

Në Podujevë, protestë e punëtorëve të administratës së QKMF-së për “diskriminim nga Qeveria”

Punëtorët e administratës së QKMF-së në Podujevë, teknikë, vozitës e pastrues, kanë protestuar mëngjesin e së hënës, për siç kanë thënë ata, diskriminimin që ua ka bërë Qeveria për mospërfshirjen e tyre në marrjen e shtesave për rrezikshmëri në vlerë prej 300 eurove për muajt korrik e gusht.

Sipas kryetarit të sindikatës, Sheqir Maliqi, të gjithë këta punëtorë i ekspozohen rrezikut ndaj COVID-19 dhe se duhet t'u jepen edhe atyre mjetet shtesë, sikur mjekëve e infermierëve.

Maliqi ka theksuar se janë edhe disa infermiere që nuk e kanë marrë shumën prej 300 eurove për shkak që janë me kontratë mbi vepër. Sipas tij, ato nuk janë fajtore pse Komuna i ka lënë qe disa vjet pa kontrata të rregullta.

Punëtorët e QKMF-së që kanë protestuar të hënën, kanë paralajmëruar edhe grevë në rast se kërkesa e tyre nuk merret parasysh.

Protesta të tilla ka pasur në ditët e fundit edhe në qytete tjera të Kosovës.