Arbëri

Nënshkruhet marrëveshja, të dënuarit nga Specialja mund ta mbajnë burgimin në Belgjikë

Objekti i Gjykates Speciale ne Hage

Foto: Associated Press

Personat që mund të dënohen me burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dënimin do të mund ta kryejnë në Belgjikë, bazuar në një marrëveshje që kanë nënshkruar të enjten Specialja dhe Ministria e Drejtësisë e Belgjikës.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës”, thuhet në njoftim të Speciales.

Kryetarja Ekaterina Trendafilova ka thënë se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet”, ka thënë Trendafilova.

Ajo ka ftuar edhe shtetet tjera ta ndjekin shembullin e Belgjikës.

Sipas komunikatës, bazuar në shkëmbimin e letrave të 2014-s, midis përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës.

Specialja heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga janari i 1998-s deri në dhjetor të 2000-s.

Deri tash, Specialja ka dënuar me burgim Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën.

Ndërkaq procesi gjyqësor po vazhdon për udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.