Arbëri

Nga Tirana, liderët evropianë paralajmëruan pasoja për Rusinë

Macron-Starmer-Merz

Foto: Associated Press

Në Samitin që u organizua në Tiranë, vëmendja kryesore i është dhënë luftës në Ukrainë. Liderë evropianë paralajmëruan Rusinë me pasoja nëse zvarrit procesin e bisedimeve për armëpushim.

Fundi i luftës në Ukrainë dhe çështje të tjera që prekin arkitekturën e sigurisë në Evropë kanë qenë ndër temat kryesore të diskutuara në kryeqytetin shqiptar, të premten nga shtetarë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe të NATO-s. Ky është takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua në një shtet ballkanik me Edi Ramën, si nikoqir i liderëve të disa prej vendeve më të fuqishme në botë.

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, duke iu referuar zhvillimeve në bisedimet Ukrainë-Rusi, e ka cilësuar si gabim nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, për të dërguar në bisedime në Turqi diplomatë të rangut të ulët. Ato u zhvilluan sot mes delegacioneve për herë të parë pas vitit 2022, por nuk prodhuan rezultat.

Si pasojë e refuzimit të Putinit për ta takuar presidentin Zelensky në Turqi, presidenti ukrainas zbarkoi në Tiranë për t’iu bashkuar liderëve të tjerë evropianë.

Zelensky gjatë sesionit të diskutimeve tha se ishte i gatshëm ta takonte Putinin, porse lideri rus nuk u pajtua të kishte takim tete-a-tete për të gjetur një zgjidhje politike.

“Nëse Putini nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Turqi, isha i gatshëm për takim me të, që të mund t’i zgjidhim çështjet e rëndësishme, por ai nuk ra dakord për asgjë, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Nga Tirana, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se Bashkimi Evropian është në proces e sipër të prezantimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë, që kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj politikave, siç i ka quajtur ajo, imperialiste të Rusisë.

I ashpër me Kremlinin është treguar edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i cili paralajmëroi federatën ruse për pasoja nëse vazhdon të zvarrisë procesin për t’i dhënë fund luftës.

“Nëse Rusia nuk ulet në tavolinën e bisedimeve, Putini duhet të paguajë çmimin. Dje siç u tha, ishte një dëshmi shtesë që Putini nuk është serioz rreth paqes. Rusia po zvarrit dhe po luan lojëra”, ka thënë Starmeri.

E për të ruajtur paqen dhe lirinë e evropianëve, kancelari i sapozgjedhur gjerman, Fridrich Merz, ka thënë se është jetike të ruhet aleanca mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj se duhet të bëjmë gjithë përpjekjet për t’i mbajtur amerikanët në anën tonë. Ne nuk mund ta zëvendësojmë atë çfarë amerikanët ende bëjnë për ne. Në Evropë, në kontinentin tonë, për paqen dhe lirinë tonë”, ka deklaruar Merz.

Në Samit, përveç zhvillimeve gjeopolitike e luftës në Ukrainë, u diskutua edhe për rreziqet e tjera qe i kanosen Evropës, sikurse migrimi, ngrohja globale e çështje të tjera.

Lexo përditësimet tjera
fotoja familjare

Nga Tirana, liderët evropianë paralajmëruan pasoja për Rusinë