Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ngrihet alarm për SMS-të mashtrues që synojnë të dhënat bankare

SMS

Pas fushatës së re të mashtrimit, nëpërmjet së cilës synohet që qytetarëve t’u vidhen të dhënat bankare, kanë reaguar institucionet dhe një numër bankash. Ato kanë apeluar që të mos klikohet në linqet që u dërgohen me SMS. Ndërkaq, ekspertët kanë shtruar nevojën për fushata sensibilizuese, me qëllimin për të parandaluar rastet

Institucionet dhe ekspertët kanë apeluar te qytetarët që të kenë kujdes për mesazhet mashtruese që u shkojnë përmes SMS-ve, e me të cilët mund të bien viktima të vjedhjes së të dhënave bankare.

Policia për të dytën ditë rresht, të martën, ka bërë thirrje që të mos bihet pre e mesazheve ku paraqitet rrejshëm emri i bankës dhe të mos klikojnë në linqet e paraqitura e as të mos ndajnë informacionet personale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe eksperti i çështjeve kibernetike, Mentor Hoxhaj, ka bërë thirrje të njëjtë dhe ka thënë se kur të marrin mesazhe të tilla, qytetarët duhet t’u drejtohen bankave.

“Të thërrasin bankën ku janë ata klientë dhe të marrin informacione drejtpërdrejt nga banka për të gjitha SMS-të të cilat kërkojnë që përmes SMS-ve të hyjnë në linqe dhe të plotësojnë të dhënat e tyre. Do të thotë, kjo është një ndër masat, dhe çdo SMS me ndonjë link duhet të ketë, atë të themi, critical thinking, që gjithmonë hapi i parë të mendojnë që është një link i rrezikshëm, respektivisht, dhe pastaj të marrin masat e tjera”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka theksuar se edhe bankat duhet të jenë më proaktive dhe se edhe nga institucionet duhet të ndërmerren hapa për identifikimin e personave që qëndrojnë pas mashtrimeve.

Hoxhaj ka shtruar nevojën edhe për fushata informimi.

“Parandalimi më i mirë është ndërgjegjësimi i qytetarëve. Fushatat sensibilizuese dhe emisionet informuese ndikojnë pozitivisht që qytetarët të kuptojnë rrezikun. Në çdo rast kur kërkohet klikimi në linke dhe dhënia e të dhënave sensitive, duhet treguar kujdes maksimal, sidomos kur bëhet fjalë për të dhëna financiare”, ka thënë ai.

Gjatë së martës, KOHA ka dërguar pyetje mbi parandalimin e këtyre rasteve dhe ankesat e qytetarëve në Bankën Qendrore të Kosovës, por ka munguar përgjigjja.

E, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka apeluar te qytetarët për raportimin e këtyre rasteve, si dhe fshirjen e menjëhershme të mesazhit, bllokimin dhe raportimin e numrit.

Thirrje të tillë kanë bërë edhe disa banka komerciale, të cilat kanë saktësuar se bankat nuk kërkojnë asnjëherë informacione përmes SMS-ve.

Fushatë e përafërt mashtrimi ka ndodhur edhe dy muaj më parë, kur është raportuar një numër viktimash.