Arbëri

Nis mbledhja e liderëve, Kurti nuk i përmend propozimet

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk i ka përmendur propozimet që do t’ua prezantojë liderëve të partive të tjera parlamentare në takimin që e ka ftuar prej orës 16:00 për dalje nga ngërçi institucional. Kurti para gazetarëve ka thënë se mbetet për të parë edhe cilët liderë do të shkojnë në takim. Ai u shoqërua nga përfaqësues të partive tjera në koalicion, Lista Guxo dhe Alternativa.

Në takimin në Kuvend ka mbërritur edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.  

Siç ka raportuar KOHA, LVV-ja do t’i paraqesë tri propozime për dalje nga ngërçi, në takimin e ftuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është theksuar se e drejta e propozimit të kryeparlamentarit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kërkon bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për ta gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm.

Burime brenda Vetëvendosjes kanë thënë se për diskutim do të shtrohet kërkesa që subjektet politike të dakordohen për emrat e anëtarëve të kryesisë në pako. Një propozim i tillë, sipas partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, bëhet “me qëllim të moskushtëzimit të ndërsjellë dhe është në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për konsensus e kompromis”.

Propozimi i dytë, i cili do të bëhet nga Kurti, është ai për dhënien e një epilogu formimit të Komisionit që do të merret me zhvillimin e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin. Nga kryetarët e subjekteve që kanë mandate në Kuvend do të kërkohet që të votohet pro ose kundër formimit të këtij komisioni.

E, propozimi i tretë, sipas burimeve në Vetëvendosje, do të jetë ai për mbështetjen e realizimit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deri të premten, nuk kanë marrë ndonjë zotim prej deputetëve të opozitës së deritanishme se do ta përkrahin të propozuarën e kësaj partie, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit. E, me qëllim të bindjes së subjekteve politike, LVV-ja do të zotohet se do ta ndërrojë propozimin e saj, në rast se dështon zgjedhja e Haxhiut në tentimin e parë.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje. Partitë opozitare nuk kanë votuar fare e AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Lexo përditësimet tjera
Nis mbledhja, të gjitha partitë i shkojnë Kurtit në takim

Ka takim, s’ka zgjidhje

Liderët e partive politike nuk i kanë dhënë zgjidhje bllokadës në konstituimin e përbërjes së re...