Ndërmarrja Publike Banesore i është drejtuar shkallës së dytë të Komerciales me ankesë për rastin e 32.5 milionë eurove të pronave në Lakrishtë. Në ankesë NPB-ja ka thënë se shkalla e parë e ka trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me paditësit, që kanë fituar rastin në emër të fitimit të humbur
Ndërmarrja Publike Banesore ka pretenduar për trajtim të pabarabartë nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciales, pas vendimit të këtij institucioni se ndërmarrja duhet t’i paguajë 32,5 milionë euro konsorcumit të tre ndërtuesve në emër të fitimit të humbur.
NPB-ja ka lidhur kontratë për bashkinvestim me kompanitë “Madekos”, “Made Group” dhe “Arkos” më 2021 për bashkë investim në ndërtimin e pesë ndërtesave në Lakrishtë të Prishtinës, e më 2024 kompanitë e paditën komunën duke pretenduar se nuk i ka plotësuar obligimet për t’ua lëshuar pronën për realizim të projektit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë ankesën kundër vendimit të shkallës së parë, në Apelin e Komerciales, NPB-ja është ankuar se në rigjykim palëve paditëse u është lejuar ta zgjerojnë padinë, teksa asaj nuk i është lejuar as ta dorëzojë kërkesëpadinë.
“Gjykata ka shkelur dispozitat e procedurës kontestimore kur ka refuzuar paraqitjen e kundërpadisë së të paditurës, duke arsyetuar në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare se në rigjykim gjykata është e kufizuar vetëm në udhëzimet e gjykatës më të lartë... Shkelja bëhet edhe më e rëndë nga fakti se, në të njëjtën procedurë, gjykata e ka lejuar si veprim procedural ndryshimin, respektivisht precizimin dhe zgjerimin e padisë së paditësve, madje pa pëlqimin e të paditurës, e cila për më tepër e ka kundërshtuar një zgjerim të tillë, ndërsa në të njëjtën kohë ka refuzuar kundërpadinë e të paditurës me arsyetimin se rigjykimi kufizohet vetëm në udhëzimet e gjykatës më të lartë...Kjo paraqet kundërthënie të hapur procedurale dhe shkelje të parimit të trajtimit të barabartë të palëve dhe paanshmërisë së gjykatës”, thuhet në ankesën e NPB-së kundër aktgjykimit të Komerciales.
Sipas Ndërmarrjes Publike Banesore, gjykata nuk e ka vërtetuar se në çfarë mënyrë dhe kur ndërmarrja e ka shkëputur kontratën.
Sipas NPB-së, kërkesa e saj për ta anuluar kontratën gjatë gjykimit nuk dëshmon mungesë vullneti për zbatimin e saj.
Nga kjo ndërmarrje kanë theksuar se ata nuk kanë pasur ekspertë të aktuaristikës që do të ishte adekuat për vlerësim të fitimit të humbur.
Në ankesën që e ka parashtruar avokati Faton Fetahu në emër të NPB-së thuhet po ashtu se konsorciumi ka pritur me vite dhe nuk ka paraqitur pretendimet e tij edhe nuk ka bërë përpjekje t’i minimizojë humbjet eventuale.
Ndërhyrje në mos-zbatim të kontratës, siç ka theksuar NPB-ja në padi, ka bërë inspektorati i Mjedisit që ka verifikuar praninë e azbestit, AKP-ja që ka kontestuar kufijtë pronësorë dhe urdhrat gjyqësorë që kanë ngrirë punimet në pronë, por jo ndërmarrja.
“Në rrethanat e rastit konkret, paditësit kanë qenë të njoftuar me pengesat që nga tetori 2021, sepse pikërisht ata janë ndaluar të vazhdojnë punimet e nisura për rrënim, nga veprimet e palëve të treta. Në këtë situatë, ata kanë pasur mundësi të kërkojnë zgjidhjen e kontratës, të ndalin krijimin e kostove dhe të minimizojnë pasojat e mundshme ekonomike. Në vend të kësaj, ata kanë lejuar kalimin e viteve, kanë ushtruar padi vetëm në mars 2024 dhe pastaj kanë kërkuar fitim të humbur për tërë projektin. Gjykata nuk e ka vlerësuar fare këtë situatë me rastin e zbatimit të dispozitave për kompensimin e fitimit të humbur, dhe në këtë mënyrë, e ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale në raport me vetë konceptin e fitimit të humbur”, thuhet në ankesë.
Në kohën kur u nënshkrua kjo kontratë, kryetar i kryeqytetit ishte Shpend Ahmeti dhe koalicioni PSD-AAK udhëhiqte me komunën.
Në bankën e të akuzuarve kanë përfunduar tre asamblistë të Komisionit Komunal Aksionar të NPB-së, katër anëtarë të Bordit të NPB-së të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e edhe ish-kryeshefi Hajdar Hoxha.
Megjithatë, ata janë liruar nga të gjitha shkallët e gjykatave.
Ndonëse NPB-ja llogaritet si ndërmarrje fitimprurëse e kryeqytetit, pagesa eventuale prej 32 milionë eurove mund ta gjunjëzojë ndërmarrjen, që në periudhën 2021-2024 pati 14 milionë euro të hyra.