Objekti milionësh që ishte paraparë për fëmijët jetimë në fshatin Orllan të Podujevës ka mbetur i pashfrytëzuar që prej ndërtimit të tij para 15 vjetëve.
Komuna nuk ka arritur ta funksionalizojë, por nuk ka mundur ta japë as në shfrytëzim. Efekt nuk ka pasur as ulja e çmimit për metër katror, nga 3 në 1 euro, raporton KOHA.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe opozita thonë se Komuna e Podujevës ka problem serioz me menaxhimin e pronave publike.
“Dhe kur flasim për kohën e tashme, është mungesë e një strategjie për zhvillim ekonomik lokal të zonës së Orllanit dhe asnjë investitor serioz nuk do të vinte të fillojë një biznes, të fillojë një aktivitet në një vend ku nuk e ka vëmendjen e pushtetit lokal, nuk ka investime të planifikuara edhe pse si zonë turistike do të mund të shfrytëzonte shumë ato resurse si ujin, natyrën, pyjet, për shumë aktivitete rekreative”, ka thënë Shemsi Jashari, përfaqësues i Rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”.
E nga Vetëvendosja, dega në Podujevë, përgjegjëse e kanë bërë komunën.
“Përgjegjëse për këtë është komuna, sepse në kohën e duhur ka dështuar që të bëjë panifikimin adekuat sa i përket këtij objekti. Ne besojmë se ridestinimi si zgjidhje ideale për ridestinimin e këtij objekti do të ishte që ky objekt të shndërrohej në një strehimore që do t’u shërbente grave të cilat janë viktimë e dhunës në familje”, ka pohuar Lirika Maliqi, këshilltare e Vetëvendosjes.
Në komunë arsyetohen se një herë nuk ka pasur ofertues e tash është bërë problem çështja e zgjedhjeve.
“Në vitin 2020 e kemi pasur në listën prioritare për dhënie në shfrytëzim të këtij objekti. Por, siç e dini, kryetari shkoi në pozitën e ministrit dhe u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës. Dhe me vendimin e presidentit neve na u ndalua dhënia e pronave në shfrytëzim jo vetëm atë, por edhe të gjitha pronat që i kemi pas në listën e veçantë të prioriteteve për dhënie në shfrytëzim. Kështu që nuk kemi mundur të shpallim në njoftim publik për dhënie në shfrytëzim”, është shprehur Abaz Llugaliu, drejtor për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi.
Komunës së Podujevës tash i ka dalë edhe një problem tjetër me këtë objekt. Një banor i Orllanit pretendon që prona ku është ndërtuar pushimorja është e tij.
Ky projekt kishte filluar të ndërtohej në vitin 2002 me fonde të UFORK-ut, qeverisë e komunës, që kapnin vlerën e 780 mijë eurove.