Një vendim i Odës së Infermierëve ka ngjallur reagime në mesin e profesionistëve shëndetësorë. Nga 1 korriku, çdo infermier, që nuk aplikon për rilicencim para skadimit të licencës, do të paguajë 50 për qind më shumë sesa taksa bazë. Oda e ka arsyetuar këtë me synimin për të rritur përgjegjësinë tek anëtarësia
Arianita Hoti
Nga 1 korriku, të gjithë infermierët që nuk aplikojnë për rilicencim para datës së skadimit, do të përballen me penalizim financiar.
Sipas vendimit të Këshillit Drejtues të Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), kushdo që aplikon pas skadimit të licencës profesionale, do të detyrohet të paguajë 50 për qind më shumë sesa taksa bazë, që aktualisht është 30 euro.
Disa nga infermierët e kontaktuar nga KOHA e kanë quajtur të padrejtë vendimin.
Një prej tyre, në kushte anonimiteti, ka thënë se jo çdo herë është faji i infermierëve që nuk e marrin me kohë licencën.
“Nëse sistemi i tyre nuk punon ose nëse je me raport mjekësor, nuk është e drejtë të penalizohesh me 50 për qind më shumë. Ka pasur raste që kolegët kanë aplikuar me kohë, por nuk u ka dalë licenca me muaj. Vendimet po i marrin pa na pyetur hiç. Ne duhet t’i dimë këto me kohë. E tani për vonesë, pa qenë faji ynë, duhet të paguajmë dyfishin”, ka thënë një infermiere.
Kryetarja e Odës së Infermierëve, Nexhmije Gori, e ka arsyetuar vendimin për tarifë shtesë me synimin për të rritur përgjegjësinë tek anëtarësia.
“Ndodh në praktikë që infermierët dhe anëtarët e tjerë të OIK-ut, për shkak të neglizhencës së tyre apo të institucioneve punëdhënëse, të punojnë me licenca të skaduara. Vendimi i ri i Këshillit Drejtues ka për synim që t’i motivojë dhe stimulojë anëtarët e Odës që të jenë më të kujdesshëm në kryerjen e obligimeve ligjore”, ka thënë ajo
Por avokati Ardian Bajraktari vlerëson se vendimi i Odës mund të jetë joproporcional me qëllimin që synon të arrijë. Sipas tij, masa duhet të rishikohet.
“Sipas bindjes sime, do të ishte mirë të shqyrtohej nëse një masë e tillë është proporcionale me qëllimin që synon të arrihet. Prandaj, vlerësoj se do të ishte e udhës të rishikohej, për shkak se mund të rezultojë në një barrë shtesë për infermierët – edhe në rastet kur, për arsye të arsyeshme, nuk arrijnë të aplikojnë brenda afatit të caktuar”, ka thënë Bajraktari.
Profesioni i infermierit është i ndaluar të ushtrohet pa licencë apo me licencë të skaduar. Licencimi bëhet çdo pesë vjet.
Sipas të dhënave të Odës së Infermierëve, licencë profesionale kanë 17 mijë e 940 infermierë.
Në OIK thanë se të hyrat nga taksat për licencë dhe kontributet e anëtarësisë shfrytëzohen për organizimin e konferencave, simpoziumeve dhe trajnimeve profesionale.