Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OSHP-ja anulon tenderin 99 mijë eurosh për furnizim të QKMF-së në Drenas me pajisje stomatologjike

QKMF Drenas

Tenderi i Komunës së Drenasit për furnizim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare me pajisje stomatologjike është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Vendimi, sipas OSHP-së, është marrë pasi autoriteti kontraktues e operatori ekonomik ankues kanë arritur marrëveshje. E megjithëkëtë, Komuna e Drenasit i ka kërkuar OSHP-së që operatori ankues të përfshihet në listë të zezë

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka anuluar aktivitetin e prokurimit të Komunës së Drenasit për furnizimin me pajisje stomatologjike të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Për tenderin në vlerë rreth 99 mijë euro, u pati shpallur fitues kompania “LetaMed”, porse shkaku i ankesës së operatorit ekonomik “Promedical”, procesi qe pezulluar për shqyrtim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas kësaj, OSHP-ja mori vendim ta anulojë në tërësi, pa i shqyrtuar pretendimet e operatorit ekonomik ankues. Kjo, sipas vendimit, ndodhi pasi Komuna e Drenasit dhe operatori ankues kanë arritur marrëveshje.

“Paneli konsideron se procedura e shqyrtimit përfundon në këtë fazë, në kuptim të pajtimit (marrëveshjes) së arritur të palëve dhe rrjedhimisht e njëjta ka humbur pretendimin, respektivisht objektin ankimor, sikurse kërkohet shprehimisht me dispozitën e nenit 111, të LPP. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, Eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE “Pro Medical” SH.P.K. të aprovohet e bazuar, dhe rekomandon që të anulohet komplet Aktiviteti i Prokurimit. Paneli shqyrtues konsideron se palët mund t’i zgjidhin raportet eventualisht kontestuese mes vete. Andaj, paneli shqyrtues nuk është lëshuar fare në vlerësim të pretendimeve ankimore por vetëm nxjerrë vendim për përfundimin e procedurës”, u tha në vendimin.

Me gjithë këtë vendim, në të cilin nuk është specifikuar natyra e shkeljes, Komuna e Drenasit i kërkoi OSHP-së që “Promedical” të përfshihet në listën e zezë, me pretendimin për ndërhyrje në autorizime të ofertës.

Në Komunën e Drenasit i thanë KOHËS se në tender nuk pati shkelje, por, siç thanë, vetëm devijime në specifikat teknike të ofruara nga operatori ekonomik fitues.

“Në këtë procedurë të prokurimit nuk ka pasur shkelje, por vetëm është respektuar vendimi i OSHP-së për anulimin e procedurës... Gjetjet kanë të bëjnë me devijime të vogla në specifikat teknike të ofruara nga operatori ekonomik, i rekomanduar për kontratë”, tha Komuna e Drenasit.

KOHA pati raportuar më herët se si OSHP-ja ka konstatuar që “LetaMed” nuk i ka përmbushur specifikat e tenderit, porse megjithëkëtë Komuna e Drenasit e shpalli fitues, gjë që u pasua me ankesë të “Promedicalit”.

Pas anulimit të tenderit, në “Letamed” janë shprehur të habitur me vendimin dhe paralajmëruan ankesë.

“Fillimisht OSHP është dashur të merret me vendimin dhe kërkesën e Komunës së Drenasit, ku shihet qartë se kërkesa e tyre ka qenë që kompania Promedical të futet në listën e zezë për ndërhyrje në autorizime. Njëri prej tyre tashmë është vërtetuar nga prodhuesi se ka ndërhyrje, ndërsa për të tjerët nuk ka pasur asnjë kontakt. Komuna e Drenasit, sipas raportit, dy herë ka kërkuar kontaktet e autorizimeve tjera nga Promedical, por nuk ka marrë përgjigje, gjë që sipas nesh lë të kuptohet se ato janë bërë nga vetë kompania. Sapo ta kemi të drejtën ligjore do të dërgojmë ankesë dhe do t’u përgjigjemi të gjitha pretendimeve të Promedical. Vendimi i OSHP-së na ka habitur dhe besojmë se më pas mund të ndryshojë”, thuhet nga “LetaMed”.

Në “Promedical” nuk iu përgjigjën prej ditësh pyetjeve të KOHËS lidhur me anulimin e tenderit si dhe për natyrën e marrëveshjes me komunën e Drenasit. E më herët, në këtë kompani patën pretenduan se operatori fitues ka lidhje me anëtarë të Komisionit Vlerësues të ofertave, porse këtë e mohuan në “LetaMed”.