Arbëri

Osmani i pret nesër kryetarët e partive

osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takime kryetarët e partive politike. 

Takimet janë planifikuar për të premten në mesditë.

“Takimi është ftuar për nesër në orën 12:00”, kanë konfirmuar nga Presidenca. 

Të dielën, propozimi i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për qeveri nuk mori votat e duhura në Kuvend. Por, pas dështimit të parë, partitë që në mandatin e shkuar ishin në opozitë janë deklaruar pro zgjedhjeve të reja.

Sipas Kushtetutës, presidentja ka kohë 10 ditë që të zhvillojë takime me partitë politike për mandatarin. Nëse as mandatari i dytë nuk merr votat e nevojshme për formimin e qeverisë, atëherë shpallen zgjedhjet, që duhen mbajtur brenda 40 ditësh.

Ndërkohë, kjo situatë ka krijuar problem edhe për buxhetin për vitin 2026 – të cilin Qeveria ka afat ligjor edhe dy ditë ta procedojë në Kuvend. Presidentja Osmani është shprehur se do t’i japë zgjidhje buxhetit, përpara shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, nëse partitë nuk e propozojnë mandatarin e ri ose nëse mandatari dështon ta krijojë pushtetin.

Osmani ka thënë se do t’u bëjë thirrje partive politike për kompromis në këtë pikë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takim.