Arbëri

Osmani nderohet me urdhrin më të lartë shtetëror në Brunei, “Datin Laila Utama”

Osmani nderohet me urdhrin më të lartë shtetëror në Brunei, “Datin Laila Utama”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Urdhrin e Familjes Mbretërore “Datin Laila Utama”, gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, ka njoftuar Presidenca të mërkurën.

Ky është nderimi më i lartë shtetëror që u jepet liderëve të huaj nga familja mbretërore e Bruneit dhe shoqërohet me titullin honorifik “Datin Laila Utama”, i cili ka peshë të veçantë në protokollin zyrtar të këtij shteti.

Gjatë ceremonisë solemne të ndarjes së titullit, Osmani theksoi se ky nder është shenjë e thellë respekti dhe miqësie mes dy popujve.

“Ky Urdhër dhe ky titull nuk janë vetëm një vlerësim për mua si Presidente, por mbi të gjitha një nder për popullin e Kosovës. Jam thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe respektin e treguar nga Sulltani dhe populli i Bruneit”, deklaroi ajo.

Ky nderim, që më herët i është dhënë edhe Mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar, “vlerësohet si dëshmi e përkushtimit të Osmanit për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën globale”.