Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Të martën është zgjedhur Dimal Basha kryetar i Kuvendit, ndërsa nënkryetar janë zgjedhur Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilia Rexhepi.
Konstituimi është bllokuar te zgjedhja e nënkryetarit nga radha e komunitetit joshumicë serb. Seanca e radhës do të mbahet të enjten.
Osmani shpreson që sa më parë të konstituohet Kuvendi e të votohet qeveria e re.
“Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj.Albulena Haxhiu, Znj.Vlora Çitaku, z.Kujtim Shala dhe znj.Emilija Redžepi. Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
