Arbëri

Pacientet me kancer të gjirit pa radioterapi – kërkohen veprime nga institucionet

Në mesin e pacientëve me kancer, që prej dy javësh nuk kanë marrë terapi shkaku i vërshimeve që i ka paaftësuar pajisjet, janë edhe gratë dhe vajzat me kancer të gjirit. Në Onkologji kanë treguar rëndësinë që kjo terapi ka për pacientët. E në Shoqatën që përkrah gratë në luftën kundër kanceri të gjirit kanë shprehur shqetësimin dhe ankthin e pacientëve dhe njëkohësisht kanë kërkuar veprime të shpejta nga institucionet

Përveç mungesës herë pas here të barnave për trajtimin e sëmundjes, gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit në Klinikën e Onkologjisë janë duke u përballur edhe me pamundësinë për ta marrë në kohë terapinë.

Violeta Pirana, drejtuese e “Renesansës”, Shoqatë që i përkrah gratë në luftë kundër kancerit të gjirit, ka thënë se pacientët janë të shqetësuar e në ankth si pasojë e ndërprerjes së radioterapisë për gati dy javë resht.

“Është jeta e tyre në pyetje, sepse për të ardhur në rrezatim, në radioterapi, këta pacientë ndoshta kanë pritur rreth dy muaj apo më tepër për të hyrë në rend. Tash sapo kanë filluar të bëjnë rrezatimin, erdhi puna e vërshimeve dhe duhet të ndërpritet. Rrezatimi është shumë i mundimshëm dhe i gjatë. Çdo ditë duhet të merret, çdo ditë pacientët udhëtojnë nga viset e ndryshme në Onkologji për ta marrë radioterapinë. Kjo nuk arsyetohet në asnjë moment”, ka thënë Pirana.

Onkologu dhe drejtori i Klinikës, Ardian Millaku, tha se rrezatimi është një prej mënyrave të trajtimit të kancerit të gjirit.

“Edhe është e rëndësishme që të bëhet sipas protokolleve dhe standardeve, por edhe tash fatkeqësisht që kemi këtë mungesë, këtë mosfunksionim të radioterapisë për shkak të vërshimeve. Do të shikohet nga ekspertët, nga profesionistët shëndetësorë që të bëhet modifikimi i dozave, që pacientët të mos kenë pasoja në shëndetin e tyre. Domethënë, ato doza, ato seanca të cilat i kanë humbur, t’i kompensojnë”, ka thënë Millaku.

Violeta Pirana ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të pacientëve për trajtim në rajon, të cilën mundësi e ka paralajmëruar që një javë Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk mund të transferohen pacientët në rajon sepse edhe rajoni është i stërngarkuar me pacientët e vet. Këtu nuk mund të hysh ti pa rend në rrezatim. Rrezatimi nuk është vetëm një ditë, por është 30 ditë. Çdo javë nga 5 ditë. Ndonjë javë pushohet, por këtu kemi një problem se pacientët edhe nuk mund të udhëtojnë. Radioterapia shkakton lodhje, rraskapitje, është e rëndë. Nuk është vetëm si të shkohet, të merret dhe të kthehet”, ka shtuar ajo.

Pirana i ka bërë apel MSH-së, kryeministrit dhe presidentes që të merren konkretisht me këtë kategori të grave.

Për çdo tetor, organizohet ecja tradicionale për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit e institucionet e vendit ndriçohen me ngjyrë rozë në shenjë solidarizimi me gratë e vajzat të cilat përballen me këtë sëmundje. Krerët e shtetit shprehin mbështetje për këto kategori të pacientëve. Presidentja Vjosa Osmani kishte kërkuar nga institucionet përgjegjëse t’i rrisin kapacitetet për trajtimin e sëmundjes, e gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë reagim.

E pyetur nëse është e njoftuar për situatën në të cilat ndodhen aktualisht gratë për shkak të mosfunksionimit të aparaturave, Presidenca nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk kanë treguar se cili do të jetë angazhimi për të gjetur sa më shpejt një zgjidhje.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë njoftuar se kanë pranuar mbështetje nga Shqipëria për trajtimin e pacientëve me kancer, por pa dhënë detaje se kur dhe si do të nisen pacientët.

E në Onkologji kanë thënë se pjesa më e madhe e aparaturave që kanë ndalë nga funksioni dy javë më parë shkaku i vërshimeve mund të kthehen në funksion së shpejti.

Sipas të dhënave nga kjo klinikë, në gjashtëmujorin e këtij viti janë regjistruar 198 raste të reja me kancer të gjirit. E 230 është numri total i pacientëve me kancer, që afërsisht dy javë janë në pritje për marrjen e shërbimit të radioterapisë, përfshirë edhe ata në listë të pritjes.