Arbëri

Pacientët u drejtohen rrjeteve online për alternativa, pasi s’gjejnë ilaçe në QKUK

Spital - QKUK

Spital - QKUK (Foto-Ilustrim)

Foto: Driton Paçarada

Kriza me mungesën e barnave esenciale në QKUK është duke u thelluar. Aty, sipas pacientëve, nuk ka furnizim me barna më bazike e edhe onkologjike. Në mungesë, sipas tyre, që prej tri javësh është edhe albumina, e cila është një prej preparateve më të domosdoshme për trajtimin e dhjetëra sëmundjeve. Për pasojë, qytetarë dhe familjarë të pacientëve janë detyruar që gjatë javës së shkuar t’u drejtohen rrjeteve sociale me kërkesa për ta siguruar preparatin. E në Barnatoren Qendrore kanë thënë se zgjidhja është bërë javën e shkuar

Në klinikat e Qendrës Klinike e Universitare (QKUK) është thelluar kriza me mungesë të barnave që janë pjesë e listës esenciale.

Një prej atyre për të cilat familjarë të pacientëve i kanë thënë KOHËS që është në mungesë prej më shumë se tri javësh është albumina, e cila është një prej preparateve kyç që përdoret në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Shkaku i mungesës së saj, si në klinika ashtu dhe në Barnatoren Qendrore e ato private, qysh nga java e shkuar qytetarë dhe familjarë të pacientëve janë detyruar që t’u drejtohen grupeve të ndryshme në rrjete sociale me kërkesa për sigurimin e tij.

Mungesën e albuminës, në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) e patën pranuar javën e shkuar, kur kanë thënë se operatori ekonomik i kontraktuar për furnizim ka vështirësi në prodhim, për çka edhe është duke u shqyrtuar mundësia për shkëputje të kontratës. Nga e marta, KOHA ka kërkuar sërish sqarime nga SHSKUK-ja për atë se si do të vazhdojë furnizimi dhe nëse kontrata është shkëputur. Në këtë institucion, nëpërmjet emailit, kanë kërkuar që përgjigje për këtë çështje të kërkohet nga menaxhmenti i Barnatores Qendrore.

E drejtoresha e Barnatores, Dardane Mehaj ,në përgjigjen që ia ka kthyer KOHËS të mërkurën, ka thënë se zgjidhja për mungesën e këtij preparati është bërë.

“Që nga java e kaluar, të gjitha njësitë përbërëse të SHSKUK-së janë furnizuar me produktin Albumine”, ka thënë ajo.

Një javë para përgjigjes, ekipi i KOHËS ka verifikuar situatën në disa barnatore afër QKUK-së, ku farmacistët kanë konfirmuar mungesën e albuminës dhe kanë treguar se herë pas here mund të ketë sasi të vogla në ndonjë barnatore.

Në QKUK ka mungesë edhe të barnave dhe terapive të tjera bazike.

Një infermiere, e cila ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë për KOHËN se situata me furnizim është kritike.

“Furnizim me ‘Palbociclib’ nuk ka tash e disa javë. ‘Cyclophosphamide’ dhe ‘Doxorubicin’ mungojnë që dy javë. Gjendja me furnizim nuk është e mirë. Në klinika të tjera mungojnë edhe gjëra më bazike”, ka thënë kjo infermiere.

“Palbociclib” është bar që përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit në fazë të avancuar apo metastatike.

Mungesën e kanë konfirmuar edhe në SHSKUK, tek kanë thënë se ky lloj i tabletave është shpenzuar para kohe.

“Sa i përket produktit ‘Palbociclib’, Klinika e Onkologjisë është furnizuar, sipas planifikimit të aprovuar, por është shpenzuar para kohës. Për produktin ‘Cyclophosphamide’, procedura e tenderimit ka dështuar disa herë, për shkak të mungesës së autorizimit të marketingut, por është sërish në ritenderim. Po ashtu, edhe produkti ‘Doxorubicin’ është në ritenderim”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.

KOHA ka mësuar se pacientët detyrohen t’i blejnë vetë edhe barnat elementare të listës esenciale, si vitamina C, B-kompleks dhe kaliumi. Për Klinikën e Onkologjisë, Qeveria Kurti pati premtuar shtim të barnave të reja në listë esenciale dhe se gjatë 2025-tës, niveli i furnizimit për të parën herë do të arrijë në nivel 100 për qind.