Arbëri

Pacientëve me kancer u rrezikohet shëndeti pa shërbimin e radioterapisë

Klinika e Onkologjisë

Këtë të enjte janë bërë një javë prej kur 233 pacientë me kancer në Klinikën e Onkologjisë kanë mbetur pa shërbimin e radioterapisë. Dëmtimet që reshjet e shiut ua bënë aparaturave të radioterapisë kanë detyruar ata që të kërkojnë trajtimin jashtë shtetit. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se janë në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë që ajo t’ua ofrojë shërbimet onkologjike pacientëve nga Kosova

Të zhvendosura nga vendi e të zbërthyera në pjesë-pjesë janë tash e një javë dy aparaturat për radioterapi në Klinikën e Onkologjisë. Çmontimi dhe mosfunksionimi i aparaturave me vlera milionëshe ka lënë 233 pacientë pa shërbim ditor të radioterapisë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku, ka treguar se në këtë periudhë kanë qenë në trajtim rreth 90 pacientë dhe se mosmarrja e terapisë me kohë do të ndikojë në shëndetin e tyre.

“Ne sot si Kolegjium i Klinikës së Onkologjisë kemi bërë një rekomandim për bordin dhe Ministrinë e Shëndetësisë, një rekomandim që pacientët që kanë qenë duke u trajtuar dhe ata që janë në pritje, të bëhet një zgjidhje ose për trajtim jashtë vendit, ose të bëhet një zgjidhje adekuate për ta, për arsye se çdo pritje për ta është me pasoja serioze për shëndetin e tyre”, ka thënë Millaku.

Për të parë nga afër situatën, gjatë ditës Klinikën e Onkologjisë e ka vizituar ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ai ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësinë që gjatë kësaj periudhe pacientët të marrin shërbimin në Shqipëri dhe më gjerë.

“Ministri Latifi, veçoi se derisa ne presim vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në aparaturat e Klinikës së Onkologjisë, ndërkohë jemi duke biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, për ofrimin e shërbimeve onkologjike të pacientëve tanë. Po ashtu, ministri Latifi, tha se është e mundur që bisedime të tilla të kemi edhe me shtetet tjera të rajonit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Udhëzimit administrativ nr. 03/2017, për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike shteti mbulon shpenzimet edhe për shërbimet e radioterapisë.

“Të gjitha rastet të cilat nuk mund ta kryejnë shërbimet në repartin e Radioterapisë në rast të mosfunksionimit të aparaturave më shumë se një javë”, thuhet në shtojcën numër 1, ku përfshihet lista e shërbimeve shëndetësore që mbështetet nga Programi për TJISHP.

Për gjetjen e një zgjidhjeje për pacientët KOHA ka dërguar pyetje edhe në SHSKUK, por nuk ka marrë përgjigje.

Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut uji kishte vërshuar e përmbytur bodrumin e Onkologjisë dhe atë të Klinikës Radiologjike, ku ndodheshin të vendosura edhe aparaturat. Kësisoj, sipas ShSKUK, me qëllim të parandalimit të pasojave të paparashikueshme ekipet teknike kanë shkyçur nga puna këto pajisje.

Mbështetur në njoftimin që bëri të mërkurën SHSKUK, ekipet e mirëmbajtjes janë duke bërë evidentimin e dëmit total të aparaturave, e sipas burimeve të televizionit, njëra prej pajisjeve është e sigurt dhe u ka shpëtuar dëmtimeve ndërsa për tjerat ende nuk dihet.

Sipas pamjeve që posedon KOHA, uji fillimisht ka hyrë në bodrumin e Klinikës së Radiologjisë dhe ka depërtuar pastaj në Klinikën e Onkologjisë. Në Onkologji thonë se vërshime të tilla brenda Klinikës ka pasur edhe viteve të kaluara.