Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pallati i Drejtësisë kthehet në “saunë”

klimatizim - Pallati i Drejtesise

Nisja e zbatimit të kontratës për furnizim me pjesë e materiale për sistemin e klimatizimit, nuk e ka zgjidhur problemin me temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë. Derisa ka pjesë të kompleksit ku temperaturat janë ulur, në hapësira të shumta ato janë rreth 30 gradë Celsius

Prej se i janë hapur dyert Pallatit të Drejtësisë në vitin 2014, hapësirat e brendshme kanë qenë të acarta dimrit e kanë ngjarë në sauna ditëve të verës.

Tek tani, ka nisur zbatimi i kontratës së nënshkruar më 17 qershor, për furnizim me pjesë e materiale për sistemin e klimatizimit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Punonjës që kanë zyrat në objektin D të pallatit, kanë thënë se efektet e investimit konform kontratës në vlerë 9.880 euro, janë minimale. 

Ndryshimet vështirë janë të vërejtshme edhe në sallën D17, ku gjatë javës ka qëndruar ekipi i KOHË-s dhe temperatura ishte 29.5 gradë Celsius.

Në udhëzimin “Housing and Health Guidelines”, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që temperatura e punës në zyra të jetë mes 18 e 24 gradë Celsius.

Në Këshillin Gjyqësor kanë shprehën pritjen që temperaturat në ambientet e Pallatit të Drejtësisë të bien në rreth 23 gradë Celsius.

“Bazuar në vlerësimet e teknikëve të angazhuar dhe ndërhyrjeve që po ndërmerren, synimi ynë është që temperatura në të gjitha hapësirat e Pallatit të Drejtësisë të ulet në rreth 23 gradë Celsius, e cila konsiderohet temperaturë optimale për punë dhe për kryerjen e proceseve gjyqësore. Për ilustrim, sot kemi marrë informacion se në Objektin A të pallatit, temperaturat tashmë kanë zbritur në 24 gradë. Parashikohet që brenda dy deri tri ditëve të ardhshme edhe në objektet e tjera të normalizohet temperatura në nivele të ngjashme për pune”, thuhet në përgjigje.

Në Ministrinë për Digjitalizim dhe Administratë Publike kanë theksuar se kompetencat për klimaizimin e objektit i ka Këshilli Gjyqësor. Memorandumi në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila deri muaj më parë pati nën ombrellë edhe administratën publike, parasheh transferimin te KGJK-ja dhe KPK-ja të 681.350 eurove për mirëmbajtje teknike dhe shërbime komunale.

“Nga data 03.09.2025 ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për transferimin e menaxhimit dhe mirëmbajtjes teknike të Pallatit të Drejtësisë. Rrjedhimisht, menaxhimi dhe mirëmbajtja teknike e objektit, përfshirë sistemin e klimatizimit, trajtohen në përputhje me kompetencat dhe obligimet e përcaktuara me këtë marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

E, në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor thuhet se më herët nuk është hapur tender për klimatizim, meqë nuk i është transferuar buxheti konform marrëveshjes me ministrinë.

“Arsyeja kryesore për mosrealizimin e këtij tenderi më herët është mungesa e buxhetit. Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura, buxheti i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin mars edhe pas kërkesave tona, nuk ka parashikuar mjete financiare për mirëmbajtjen e Pallatit të Drejtësisë, as nga Qeveria dhe as nga Kuvendi. Gjendja financiare në të cilën ndodhemi është jashtëzakonisht e vështirë. Ky problem i ka rrënjët te transferimi i kompetencave për mirëmbajtje teknike të pallatit nga Ministria e Punëve të Brendshme te Këshilli Gjyqësor, i cili u realizua në shtator të vitit të kaluar por pa u shoqëruar me transferimin e buxhetit përkatës për vitin 2026”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Krahas gjykatoreve, në Pallatin e Drejtësisë, gjyqtarët, zyrtarët dhe punëtorët e sigurisë ballafaqohen me temperatura të larta edhe në hapësira të tjera, përfshirë zyrat, recepsionet e korridoret. 

Në këtë kompleks ndodhet Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata Themelore e Prishtinës si dhe Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.