Arbëri

Paralajmërohet nisja e administrimit të dozës së tretë anti-COVID

Deri tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 2 mijë e 200 nxënës, të moshave 12 deri 15 vjeç. Ndërkohë që vaksinimi i nxënësve është duke u zhvilluar me ekipe mobile vetëm në kryeqytet e Pejë, MSH-ja thotë se së shpejti njëjtë do të veprohet edhe në të gjitha shkollat e Kosovës. Nga ky institucion kanë thënë se së shpejti fillon edhe administrimi i dozës së tretë e përforcuese të vaksinës kundër COVID, ndërkohë që qytetarët e mirëpresin një gjë të tillë.

E qetë e me pak lëvizje ishte gjatë së premtes salla “1 Tetori” në Prishtinë, që është edhe qendra më e madhe e vaksinimit kundër COVID-19.

Ata pak qytetarë që vinin në mesdite, vinin për të marrë vaksinën e gripit sezonal, për shkak se tashmë ishin imunizuar me të dy dozat e vaksinës ndaj koronavirusit. Por, interesim më i madh duket të jetë në shkolla të mesme, ku edhe është duke vazhduar vaksinimi i nxënësve.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se deri tani, rreth 2 mijë e 200 nxënës janë vaksinuar, dhe se vaksinimi i kësaj grupmoshe ka filluar në Prishtinë e Pejë, për të vazhduar në ditët në vijim në çdo shkollë.

Ndërkohë, edhe në Kosovë është paralajmëruar administrimi i dozës përforcuese e i dozës së tretë të vaksinave. MSH-ja thotë se kjo çështje është duke u trajtuar ende në komitetin për imunizim, dhe se së shpejti pritet të fillojë një gjë e tillë edhe në Kosovë.

“Vaksinimi i nxënësve në shkolla me vaksinën kundër COVID-19 ka filluar në Prishtinë, në Pejë gjithashtu ka pasur vaksinim në shkolla, ndërsa në vijim do të zhvillohet në çdo shkollë ku nxënësit kanë marrë konfirmimin nga prindërit e tyre përmes nënshkrimit të Deklaratës së pajtueshmërisë për vaksinim dhe ku shkollat janë të gatshme t'i presin ekipet e vaksinimit. Është fillimi i procesit dhe deri tash rreth 2.200 nxënës të moshës 12-15 vjeç janë vaksinuar kundër COVID-19. MSH-ja pret që interesimi të rritet. Administrimi i dozës përforcuese dhe dozës së tretë pritet të bëhet shpejt, meqë ka vaksina të mjaftueshme në stok, duket se do të ketë edhe interesim nga qytetarët dhe kjo çështje është trajtuar edhe nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, qytetarët thanë se nëse rekomandohet një gjë e tillë, nga profesionistët shëndetësorë, do ta merrnin pa asnjë problem.

“Dyjat i kam marrë, edhe për të tretën si te japin urdhrin Ministria e Shëndetësisë jam i gatshëm, pse mos me marrë, ajo është veç në dobi tonën”, ka deklaruar Hajrush Pajaziti.

“Nëse preferojnë mjekët pse mos me marrë, i kemi marrë ato dy të tjerat, sigurisht”, ka thënë Halit Mërmullaku.

Deri tash në Kosovë në total janë administruar mbi 1 milion e 600 mijë doza të vaksinës, nga të cilat mbi 750 mijë persona janë imunizuar me të dyja dozat.

E në 24 orët e fundit asnjë person nuk ka vdekur, derisa 17 raste të reja të infektimeve janë konfirmuar.

Në anën tjetër, derisa në shumë vende të botës janë rikthyer valët e infektimeve e rreziku nga variantet e reja, nga MSH-ja kanë thënë se janë duke i ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe se janë duke e mbajtur sistemin shëndetësor sa më të mobilizuar, në rast se edhe vendi ynë përfshihet nga një gjendje e tillë.

Ndërkohë që masat e vendosura më 23 tetor, vazhdojnë të mbesin në fuqi.