Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pasivizimi i adresave në Luginë do të trajtohet nga Gjykata e Strasburgut

Protesta - Lugina e Preshevës

Foto - arkiv: Protesta të shqiptarëve kundër diskriminimit nga Serbia

Avokati Drini Grazhdani ka njoftuar se Gjykata e Strasburgut për herë të parë ka regjistruar padinë të cilën e ka dorëzuar në emër të Teuta Fazliut kundër Serbisë, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. 

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që ka thënë se kanë ndodhur ndaj Fazliut. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Grazhdani ka thënë se regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare. 

Ai ka thënë se përmes kësaj padie kanë për qëllim që ta detyrojnë Serbinë të ndalojë praktikën e pazivizimit të adresave. 

“Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme”, ka shkruar Grazhdani. 

Ai ka shkruar se Serbia është angazhuar në spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve, duke i pasivizuar adresat jo vetëm të atyre që punojnë jashtë, por edhe të atyre që jetojnë brenda vendit. 

“Ky pasivizim nuk është simbolik, i detyron shqiptarët të largohen, pasi qytetarët humbasin të drejtën për të marrë letërnjoftim/pasaportë të re, të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor, të drejtën e votës, etj”, ka shkruar Grazhadani. 

“Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje të gjithë të prekurve nga pasivizimi që të ndjekin procedurat e brendshme ligjore në Serbi, pa marrë parasysh faktin se Serbia i refuzon ato. Kjo është një fitore fillestare, dhe do të jem i përkushtuar që të përfundojë me fitore të plotë”, ka shkruar tutje ai. 

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se regjistrimi i padisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për pasivizimin e adresave është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë.

“Dua të shpreh mirënjohje të veçantë për Teuta Fazliu për guximin qytetar dhe gatishmërinë për ta përfaqësuar këtë padrejtësi që prek shumë familje. Një falënderim po ashtu për avokatin Drini Grazhdani për profesionalizmin dhe përkushtimin në ndërtimin juridik të këtij rasti kompleks”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook.

Ka shkruar se kjo nuk është vetëm një çështje individuale, është një përpjekje për t’i dhënë fund një praktike sistematike që cenon të drejtat themelore të qytetarëve.

LEXO EDHE: