Arbëri

“Pastrimi” vazhdon ta vonojë mbledhjen e mbeturinave në Podujevë

Kompania Rajonale “Pastrimi”, njësia në Podujevë, është duke e vonuar mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave edhe gjatë muajit tetor. Megjithëse, zyrtarët e saj në muajin shtator kanë thënë se ky problem është evituar pas sanimit të defekteve në mekanizëm, vonesa ka pasur edhe në javën e parë të tetorit.

KOHA ka raportuar se “Pastrimi” nuk është duke e kryer me kohë mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave në Komunën e Podujevës. Të pakënaqur me shërbimet e kësaj kompanie ishin shprehur edhe zyrtarët komunalë dhe nga shoqëria civile.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se vërejtjet që i kanë me njësinë e “Pastrimit” në Podujevë ia kanë shfaqur edhe kryeshefes ekzekutive të kësaj kompanie.

“Në vazhdën e sqarimit të këtyre rrethanave që janë krijuar me Kompaninë Regjionale ‘Pastrimi’ e kemi pasur një takim me kryeshefen e kësaj kompanie dhe sigurisht që shfaqëm brengën tonë për arsye se operimi i kësaj kompanie brenda territorit të Komunës sonë nuk është i kënaqshëm muajve të fundit edhe sigurisht që kërkuam që të merren masa konkrete në mënyrë që ky problem të zgjidhet”, ka thekuar në muajin shtator Shpejtim Bulliqi.

Të papërgjegjshme e kanë vlerësuar Kompaninë Regjionale “Pastrimi”, njësinë në Podujevë, përfaqësues të shoqërisë civile në këtë Komunë.

“Kompania Regjionale ‘Pastrimi’ po tregohet shumë e papërgjegjshme ndaj banorëve të Komunës së Podujevës. Edhe pse Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave e obligon këtë kompani që brenda 24 orëve në ditën e caktuar t’i marrë mbeturinat, kjo kompani tani jo që po i merr ato mbeturina brenda 24 orëve, mirëpo deri në tri ditë kemi mbeturina të cilat mbeten aty te banorët dhe nga qentë endacakë po shpërndahen gjithandej rrugës”, ka thënë Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”.

Në Kompaninë Rajonale “Pastrimi” kishin deklaruar se pas sanimit të defekteve teknike kanë vazhduar me planin operativ.

“Kompania ‘Pastrimi’, njësia operative në Podujevë, ndodh ndonjëherë të ketë pasur vonesa në kryerjen e shërbimit të largimit të mbeturinave për arsye të defekteve në pajisje teknike, por që me rregullimin e këtyre defekteve është vazhduar më tutje sipas planit operativ”, ka thënë zëdhënësja e KR “Pastrimi”, Arbnore Ademi.

Por, vonesa kishte pasur edhe në kohën kur është raportuar dhe po ashtu këtë javë.