Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se para seancës së sotme për konstituim të Kuvendit, deputetët e kësaj partie do të mblidhen për t’u koordinuar rreth qëndrimit për votimin e kryeparlamentarit.
Seanca e re do të nisë në orën 11:00.
Votimi i fundit, ai për Dimal Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi. Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”.
