Arbëri

Për një vit u rrit për 344 numri i incidenteve të evidentuara në dhe përreth institucioneve arsimore

Shkolla Zenel Hajdini

Foto: Ilustrim

Rastet e incidenteve të evidentuara në dhe përreth shkollave kanë shënuar rritje në numër nga viti në vit. Gjatë 2025-s, Policia regjistroi 631 të tilla, apo pothuajse dyfish më shumë sesa në vitin paraprak. Këto dukuri, ekspertë të arsimit i shohin si pasojë e mosveprimit institucional. E sociologët, si pasqyrim të problemeve më të gjera shoqërore

Në një interval kohor prej një viti, është rritur për 344 numri i incidenteve në dhe përreth shkollave, kanë treguar të dhënat e Policisë.

Bazuar në to, gjatë vitit 2024 janë raportuar 287 raste të tilla, ndërsa më 2025-n, 631. E vetëm gjatë janarit të sivjetmë, janë evidentuar 58.

Në një rast gjatë fillimshkurtit, Policia gjeti boks hekuri e tri mjete të mprehta në kontrollet që i ndërmori në disa shkolla në Vushtrri.

Këtë situatë, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, e kualifikoi si pasojë të mosveprimit institucional, teksa kërkoi që autoritetet përgjegjëse të angazhohet për t’i bërë vlerësim të qartë të rrezikshmërisë në shkolla.

“Duhet të vlerësohet gjendja e sigurisë, rrezikshmëria, niveli i rrezikshmërisë, qoftë nga sjellja huligane brenda shkollës, qoftë nga prishja e disiplinës brenda shkollës apo huliganat dhe bullizmi jashtë shkollës, etj. Duhet të vlerësohet indeksi i sigurisë së shkollës dhe të merren masat përkatëse për shkollat përkatëse edhe vendet përkatëse në Komunë”, tha Rexhaj.

E sociologu, Genc Xërxa, vlerëson se incidentet e dhunshme mes të rinjve janë pasqyrim i problemeve më të gjera shoqërore.

“Kemi një kulturë të mangët edukimi, të komunikimit, ashtu siç shumica e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve mes aktërve socialë përfundojnë me dhunë. Pra, dhuna është shndërruar si normë, e në bazë të saj, pastaj na dalin keqkuptime dhe e gjitha ajo dhunë po shpërfaqet në forma të ndryshme apo në ekzagjerime të cilat po përfundojnë në mënyrën më të keqe”, tha Xërxa.

Për të këtilla raste, nënkryetarja e Këshillit të prindërve, Linda Dula-Halilabazi, thotë se ekziston një zinxhir i përgjegjësisë.

“Janë prindërit ’fajtorët e parë’, të themi, që fëmijët e tyre sillen në atë mënyrë sidomos kur ata vihen në dijeni për veprimet e fëmijëve të tyre. Familja është e para që duhet të merret me fëmijën dhe të mundohet ta përmirësojë fëmijën e vet së pari pastaj edhe gjendjen në shkollë. Roli i shkollës është që t’i identifikojë këto raste dhe mos t’i heshtë”, tha Dula-Halilabazi.

Ditë më parë, nxënës të shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan janë filmuar tek dëmtonin banka e karrige brenda klasës. Për këtë rast, pesë nxënës janë suspenduar për tre muaj dhe është marrë edhe vendim që atyre t’u ndërrohet shkolla.

Dhuna në shkolla mori vëmendje të shtuar javën e fundit, pasi prokuroria Themelore në Prishtinë inicioi rast për veprën penale “Sulm” ndaj një nxënësi ndërsa janë suspenduar një mësimdhënës dhe drejtori i shkollës “Pavarësia”, lidhur me përfshirjen në konflikt fizik brenda ambientit të këtij institucioni arsimor.