Arbëri

Përleshje në Komunën e Prishtinës, tre të shoqëruar në polici

Komuna e Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

Një përleshje fizike ka ndodhur në ambientet e Komunës së Prishtinës të mërkurën, pas dështimit të seancës për buxhetin. Policia ka shoqëruar tre persona për rastin, ndërsa mësohet se kryesuesi Fehmi Kupina ka kërkuar trajtim mjekësor.

Fillimisht është raportuar për sulm fizik ndaj kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina, e më pas Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se bëhet fjalë për një sulm ndaj asamblistit të kësaj partie, Sami Salihu.

Lidhja e Prishtinës, që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka për prijës pikërisht Kupinën, ka reaguar për ngjarjen. E ka cilësuar dështim të mekanizmave të sigurisë.

“Lidhja e Prishtinës dënon ashpër sulmin fizik që i është bërë sot Kryetarit të Kuvendit Komunal dhe njëherit prijësit të listës sonë zgjedhore, z. Fehmi Kupina. Ky akt i dhunshëm, i kryer në ambientin e punës, paraqet dështim serioz të mekanizmave të sigurisë dhe është krejtësisht i papranueshëm”, thuhet në reagim. “Përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, në çdo nivel të qeverisjes, gëzojnë imunitetin dhe mbrojtjen që u takon me ligj. Siguria e tyre nuk mund të jetë selektive dhe as të varet nga preferenca politike. Dhuna ndaj një përfaqësuesi të popullit është sulm ndaj gjithë procesit demokratik dhe ndaj vlerave që i mbajnë institucionet tona”. Ky subjekt politik e ka konsideruar ngjarjen si akt të organizuar dhe paramenduar. Ka kërkuar hetim të plotë e të paanshëm dhe që autorët të dalin para drejtësisë.

Ndërkaq asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fiknete Bejta, ka thënë se bëhet fjalë për sulm ndaj Salihut nga njerëz të Kupinës.

“Ky sulm, i kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, z. Fehmi Kupina, është jo vetëm një dhunë e paprecedentë ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve, por edhe një goditje e rëndë ndaj demokracisë, institucioneve dhe dinjitetit të Kuvendit të Kryeqytetit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bejta ka shkruar po ashtu se LDK-ja e dënon aktin, teksa ka kërkuar masa të shpejta nga organet e drejtësisë.

“Ne Grupi i Asambleistëve të LDK-së, e dënojmë fuqishëm këtë akt të shëmtuar, që synon të frikësojë dhe të nënshtrojë zërin e lirë politik. E falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e menjëhershëm dhe kërkojmë me ngulm nga organet e rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme. Grupi jonë qëndron pranë z. Sami Salihu me bindjen e fortë se dhuna nuk do të mund ta ndalë asnjëherë misionin tonë për të mbrojtur interesin qytetar, demokracinë dhe rendin ligjor në Prishtinë e Kosovë”, ka shkruar ajo.

 

KOHA ka provuar të kontaktojë me Kupinën, por ai nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike dhe mesazhet. Ndërkaq Salihu ka thënë se do të përgjigjet më vonë.

Ndërkaq Policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar tre persona.

“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

E Amire Dragusha, drejtoreshë e Urgjencës ka thënë se Kupina është dërguar në Qendrën Emergjente. “Ka pasur një lëndim në fytyrë (gërvishtje) dhe hipertension, prandaj e kemi dërguar në qendrën emergjente”, ka deklaruar ajo.

Për rastin ka reaguar edhe asamblisti i Partisë Demokratike, Leutrim Retkoceri. Ai ka thënë se asamblistët e LDK-së e sulmuan Kupinën, e se kjo u shty nga gjuha dhe sjellja e Përparim Ramës. Retkoceri ka thënë se përgjegjësia e rastit bie mbi Ramën dhe partinë e tij.

“Sulmi tinëzar me shishe qelqi në kokë që iu bë kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, nga asamblistë të LDK-së, të shtyrë nga gjuha dhe sjellja arrogante e Përparim Ramës, është turpi më i madh i ndodhë ndonjëherë në Komunën e Prishtinës.  Kryesuesi është figura që garanton funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, ndaj fakti që ai u bë shënjestër dhune brenda këtij institucioni e bën edhe më skandaloze ngjarjen. Kuvendi Komunal është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, ku duhet të mbrohen interesat e tyre dhe të zhvillohet debati demokratik e kurrë dhuna”, ka shkruar ai në Facebook.

Lidhur me ngjarjen kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, Hajrulla Çeku, ka akuzuar LDK-në për veprime kundër parimeve politike.

“Lajmi për dhunë në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës është shumë shqetësues. Lidhja Demokratike e Kosovës sot sulmoi njeriun që udhëheqë me Kuvendin Komunal, z. Fehmi Kupina. Përveç që e papranueshme, kjo sjellje shkon kundrejt parimeve politike ku dallimet në pikëpamje janë vlerë e shtuar. Bëjmë thirrje për organet kompetente që të marrin masa dhe të ndëshkohen dhunuesit”, ka shkruar ai.

 

Kupina ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kur është zgjedhur kryesues. E në zgjedhjet e reja ai garon me Lidhjen e Prishtinës.

Të mërkurën, Kuvendi Komunal mbajti seancë të jashtëzakonshme me pikë të rendit të ditës buxhetin për vitin 2026. Por në mungesë kuorumi ajo dështoi. E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për ta kritikuar opozitën dhe për të bërë fushatë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.