Për herë të dhjetë të shtunën dështoi përpjekja e konstituimit të Kuvendit. Ashtu si të enjten, edhe seanca e sotme nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë. Por mori vetëm 54 vota. Kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën për mungesë kuorumi. Seanca e radhës, të hënën në orën 10:00.

Gërvalla: Opozita të tregojë se a po synon ta bëjë qeverinë, apo do zgjedhje të reja

9 o. më parë / 3 maj 2025 11:02
gervalla

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka akuzuar partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë se me mosvotim në seancën konstituive po duan të blejnë kohë.

“Të gjitha këto janë filma që duan të çojnë në blerje të kohës për të arritur diçka që opozita duhet të na tregoj. A është përpjekja për të krijuar një qeveri të partive opozitave bashkë me Listën Serbe. A është se përpjekja mes tyre ende nuk ka nxjerrë rezultat apo duan ta çojnë vendin në zgjedhje të reja. Mesazhi i Memli Krasniqit për zgjedhje të reja është mesazh që nuk i drejtohet LVV por LDK-së që nuk duket se ka interesim për zgjedhje të reja”, ka thënë ajo.

Gërvalla e ka quajtur të pakuptimë refuzimin për ta votuar mundësinë e votimit të fshehtë.

“Kjo mungesë e besimit ndaj deputetëve të tyre tregon që vullneti për të bllokuar proceset është shtyrë nga motive që është lehtë por edhe vështirë të shpjegohen. Nuk e di çka imagjinon opozita në ditët e saj të mira se si të dalim nga kjo situatë por shfrytëzimi i votimit të fshehtë është edhe një përpjekje me shpresën se do ta tejkalojmë këtë fazë”.

Kadrijaj: I gjori Avni Dehari, po punon sipas skenarit të Vetëvendosjes

10 o. më parë / 3 maj 2025 10:55
Time Kadrijaj

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e shfrytëzon kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për taktikat e tyre politike.

Kadrijaj bëri thirrje edhe një herë që VV-ja ta ndryshojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

“Tash po kërkojnë votë për formimin e komisionit, ndërsa nuk e kemi emrin e kandidatit. Fillimisht duhet të vijë emri i kandidatit. Ne nuk e dimë për cilin kandidat do të votojmë. As për komision nuk i kanë votën. Nëse nuk ndryshojnë qasje, kështu do të vazhdojë. Këto janë taktika të LVV-së që po e keqpërdorin pozitë e kryesuesit (Avni Deharin) dhe i gjori po punon sipas skenarit të LVV-së. LVV-ja duhet ta ndryshojë kandidatin”, ka shtuar ajo.

Bajrami: Kështu do të vazhdojmë derisa VV-ja të reflektojë

10 o. më parë / 3 maj 2025 10:52
Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk do të reflektojë, situata do të mbetet e njëjtë.

Bajrami përsëriti se ndryshimi për votim të fshehtë është shkelje ligjore e kushtetuese.  

“VV-ja tash ka ndryshuar strategji. Në vend që të vendosë emrin e Albulena Haxhiut, tani po kërkon votë për një komision për votim të fshehtë, të cilin e kemi argumentuar se është shkelje ligjore e kushtetuese ndryshim i votimit në proces. Nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Na vjen keq për Deharin, i cili nuk përfaqëson partinë ku bën pjesë, por është si kryesues për shkak të moshës. Ai duhet ta ndjekë skenarin e sekretariatit të Kuvendit. Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun. Kryeparlamentari duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata të reflektojnë”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Krasniqi: As për të 10-n herë e as për të 100-n, Albulena Haxhiu nuk kalon

10 o. më parë / 3 maj 2025 10:47
krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij nuk ka asnjëherë votë për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit.

Ai ka theksuar se sa herë që LVV-ja do ta përsërisë emrin e Haxhiut, PDK-ja nuk do ta votojë.

“Në mungesë të shumicës parlamentare Albin Kurti e VV-ja edhe sot për të dhjetën herë po tentojnë që në forma të paligjshme, jokushtetuese, duke keqpërdorur mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet, edhe sot tentuan që vërtetë të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur. Ja u bëjmë të qartë, qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelur ligjin e as Kushtetutën, na kanë votuar për tu dhënë institucione. As herën e parë, as të dhjetën e as herën e 100 nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, ka thënë ai pas mbylljes së seancës.  

VV-ja sërish tenton votim të fshehtë, nuk merr përkrahje

10 o. më parë / 3 maj 2025 10:40
Kuvendi i KOsoves

Photo: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje edhe në seancën e së shtunës sërish ka tentuar të krijojë Komisionin ad-hoc për votim të fshehtë por nuk ka marrë përkrahjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës. Votimi mori 54 vota për, kundër një.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi partitë që nuk kishin propozuar anëtar për komision gjatë seancës së kaluar, por mori përgjigje të njëjtë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka lutur kryesuesin e seancës që mos ta kthejë Kuvendin në cirk.

“Mos lejoni të dirigjoneheni nga partia”, ka thënë Krasniqi.

Seanca u shty për të hënën në orën 10:00.

Haradinaj: Kam dëgjuar se ka përpjekje për ta gjetur një kandidat më unifikues

11 o. më parë / 3 maj 2025 09:58
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka informacione që po bëhen përpjekje për një kandidat më unifikues për kryeparlamentar.

“Po shpresojmë të kemi kandidat unifikues, që të ndodh propozim i ri. Shpresojmë ta votojmë kryeparlamentarin. Kam dëgjuar që ka përpjekje për ta ndërruar kandidatin, për ta vendosur një kandidat më unifikues”, ka thënë Haradinaj para hyrjes në Kuvend.

Gjatë një deklarimi të djeshëm, kryetari i AAK-së e la të hapur mundësinë ta votojë edhe Glauk Konjufcën për kryeparlamentar. AAK-ja insiston që Albulena Haxhiu nuk është kandidate unifikuese.

Haradinaj në deklarimin e sotëm shtoi se kryeministri e ministrat që po ushtrojnë detyrën edhe pse janë zgjedhur deputetë po shkelin ligjin dhe për këtë ka paralajmëruar kallëzim penal, ashtu si LDK-ja. 

Qalaj: S’ka votë për një njeri që nuk është dinjitoz për pozitën e kryeparlamentarit

11 o. më parë / 3 maj 2025 09:32
qalaj

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë ta mbajë qëndrimin e njëjtë sa i përket votimit për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka thënë deputeti Rashit Qalaj.

Qalaj ka thënë se edhe sa i përket votimit të fshehtë, nuk do të pranohet.

“Sa i përket PDK-së, qëndrimi është i njëjtë. Nuk ka votë për njeri që nuk është dinjitoz për pozitën e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.

Bajrami thotë se LDK-ja s’do të ndërrojë qëndrim

11 o. më parë / 3 maj 2025 09:29
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

FOTO: EO

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.

Ajo theksoi se LDK-ja ka qenë gjithmonë e qartë në qëndrimin e saj dhe se “nuk jemi ne ata që duhet të ndërrojmë qëndrim”.

Sipas saj, ndryshimi i mënyrës së votimit mund të bëhej vetëm në fillim të procesit dhe jo në fazën kur votimi është duke u zhvilluar.

Murati uron ndryshim qëndrimesh nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Nisma

11 o. më parë / 3 maj 2025 09:26
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati,

FOTO: EO

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka shprehur shpresën se gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të ketë ndryshim qëndrimi nga ana e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës dhe të votohet kryeparlamentari.

“Uroj që të ndërrojë qëndrim opozita në mënyrë që të zhbllokohet procesi”, deklaroi Murati para hyrjes në Kuvend për EO.