Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi në Bruksel, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, refuzoi të diskutojë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për subvencionimin e bujqve, ndihmë kjo që e jep Qeveria e Kosovës, por që është bllokuar nga Beogradi.
Në një postim në Facebook, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia po i mohon të drejtat për pakicat kombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar.
“Sanksionimi juridik kur përdoren simbolet kombëtare, përfaqësimi i pamjaftueshëm në sistemin e drejtësisë, polici e institucione publike, si dhe diskriminimi sistematik tregojnë se ekziston një asimetri midis politikës së jashtme të Serbisë dhe politikës së saj të brendshme ndaj pakicave”, ka shkruar ai.
Kamberi ka akuzuar Serbinë për kufizim të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërkohë që këmbëngul në zbatimin e normave që nuk njeh as e drejta ndërkombëtare kur bëhet fjalë për statusin dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.
Në Bruksel të enjten u mbajt raundi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit tha se me palën serbe është diskutuar edhe për bllokimin, nga e Serbisë, të subvencioneve për fermerët në Luginën e Preshevës.
Një milion euro të dedikuara për fermerët e Luginës së Preshevës nga Qeveria e Kosovës po mbahen të bllokuara nga Serbia.