Arbëri

Policia e Kosovës do ta ndihmojë atë të Shqipërisë në patrullime rrugore gjatë sezonit turistik

Gazmend Hoxha dhe Ilir Proda

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit për shërbime të përbashkëta të policimit rrugor në Shqipëri, gjatë sezonit turistik 2025.

Në njoftimin e përbashkët thuhet se kjo është bërë në kuadër të sezonit turistik veror dhe fluksit të shtuar të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova. 

Memorandumi u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. 

Në njoftim thuhet se kjo është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

“Shërbimet e përbashkëta do të kenë si objektiva: Parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore; Menaxhimin e trafikut në akset kryesore që lidhin të dy shtetet; Shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e policimit rrugor”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e përbashkëta të policimit rrugor nisin nga data 1 korrik 2025.