Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ka nisur hetim më 30 korrik nëse në Liqenin e Ujmanit ka tela elektrikë të zhytur nën ujë ose jo. Hetimi ka nisur pas, siç ka thënë Policia, deklarimeve të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës për telat elektrikë.
Policia ka njoftuar se e ka intervistuar kryetarin e Shoqatës së Peshkatarëve të premten dhe ai ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
“Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik. Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.