Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar derisa atij i mungon nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Kështu po e vlerëson situatën aktuale profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Mitrovicës, Zahir Çerkini.
I ftuar në emisionin “60 Minuta”, Çerkini, deklaroi se nuk është zbatuar në plotëni aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Mungesa e një nënkryetari në konstituimi, nënkupton që Kuvendi nuk është konstituar. Pra, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur që ta zbatojnë akgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta konstituojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Momentalisht nuk kemi kuvend të konstituar. Është zgjedhur kryetari, janë zgjedhur tre nënkryetarë nga partitë më të mëdha, që kanë numrat, të dalura nga zgjedhjet. Është zgjedhur një nënkryetar nga komuniteti joshumicë që nuk i përket komunitetit serb, por mungon nënkryetari nga komuniteti serb.”, deklaroi Çerkini.
Megjithatë sipas tij, nuk mund të konsiderohet se është shkelur e drejta e komunitetit serb për të qenë të përfaqësuar. Sipas profesorit Çerkini e rëndësishme është që palët të ulen dhe të gjejnë konsensus për konstituim të Kuvendit.
“Nëse e lexojmë rregulloren e Kuvendit nënkryetarët nuk kanë ndonjë kompetencë dhe aq më pak nënkryetarët që vijnë nga radhët e komuniteteve. Vota është e barabartë, nuk kanë asnjëlloj veto që mund të bllokojë punën e Kryesisë së Kuvendit ose Kuvendit në tërësi dhe në praktikë paralamentare nuk mbaj mend ndonjëherë ndonjë seancë që është kryesuar nga nënkryetarët e komuniteteve. Kështu që mbi këtë bazë nga një çështje periferike e kemi kthyer në një thelb të problemit. Ne duhet t’i qëndrojmë besnik Kushtetutës dhe asaj që derivon nga Kushtetuta, që është në këtë rast rregullorja e Kuvendit dhe poashtu thirrjeve që bën Gjykata Kushtetuese tashmë edhe me normë kushtetuese sepse aktgjykimi është me efekt detyrues që palët të ulen të gjejnë konsensusin dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit.”, shtoi Çerkini.
Profesori Çerkini beson se gjykata do ta rikthejë në rivotim çështjen e nënkryetarit të komunitetit serb dhe që mund të konsiderohet edhe një afat shtesë për konstituim të Kuvendit.
E në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Presidenca njoftoi gjatë së hënës se ekipi ligjor është duke e analizuar këtë çështje.
Në takimin që e zhvilloi me kryetarin e Kuvendit, Dimal Bashën, presidentja Osmani citohet të ketë potencuar se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.