Arbëri

Projekti 6-milionësh kundërshtohet nga specialistët, aktivistët dhe banorët e Zborcit

Krahas banorëve të fshatit Zborc të Shtimes, edhe aktivistë e psikologë e kanë kundërshtuar ndërtimin e objektit të ri të Entit Social. Ata kanë theksuar se me këtë projekt që ka nisur të realizohet, përjetësohet diskriminimi i personave me probleme të shëndetit mendor

Punimet për ndërtimin e objektit të ri të Entit Social në Komunën e Shtimes, që kanë nisur dy muaj më parë, janë kundërshtuar nga dhjetëra aktivistë e psikologë. Përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, ata e kërkuan ndërprerjen e punimeve në një pjesë malore në fshatin Zborc.

Bind Skeja, i cili është në mesin e kundërshtuesve, tha se ndërtimi i objektit të ri do ta përjetësojë diskriminimin e personave me probleme të shëndetit mendor.

“Ata largohen prej komuniteteve ku jetojnë, largohen prej familjeve të tyre dhe pastaj përfundojnë aty. Pra jetojnë aty edhe vdesin. Nuk është jeta e tyre në komunitet, jeta e tyre është e mbyllur aty brenda. Tash me i marrë këta persona edhe m’i dërgu më në periferi, ti veç je duke i distancuar edhe më shumë edhe prej komunitetit”, ka deklaruar Skeja.

Në vend të projektit që është në realizim, ai tha se do të duhej të ndërtoheshin shtëpi të ndryshme rehabilitimi të vendosura në komunitet.

Skeja theksoi se buxheti i ndarë për ndërtimin e objektit, do të duhej të shfrytëzohej për shërbime të shëndetit mendor.

“Kemi tentuar m’i tregu Ministrisë së Shëndetësisë që ka zëra që i kundërshtojnë, dhe kjo çka po bëhet nuk është mirë për kërkon, as për pacientët, as për qytetarët. Për shkak që krejt ato resurse që janë t’u u nda aty, kishin mujtë për m’u nda për shërbime psikologjike, për shërbime të shëndetit mendor që janë në dobi të të gjithëve”, është shprehur ai.

Për kërkesën e psikologëve, KOHA ka adresuar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por gjatë ditës nuk janë kthyer përgjigje.

Edhe banorë të fshatit Zborc të Komunës së Shtimes, përmes protestave e kanë kundërshtuar ndërtimin e objektit të ri të Entit Social. Ata kanë dorëzuar në Komunë një peticion me rreth 200 nënshkrime me kërkesë për ndërrimin e lokacionit.

Projekti për objektin e ri të Entit Social ka vlerë investimi prej rreth 6 milionë eurosh.