(E përditësuar 15:11) - Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka ndaluar 15 kryekomisionerë në Malishevë për 48 orë, nën dyshimet për dallavere në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Prokuroria ka paraqitur edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.
Kryeprokurori i Gjakovës, Enis Gashi, ka bërë të ditur se për intervestim janë ftuar 18 kryekomisionerë dhe 50 komisionerë.
“Deri tash, janë intervistuar 15 kryekomisionerë e 43 komisionerë. 15 kryekomisionerët janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë. Për 43 komisionerët jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Gashi ka thënë se të gjithë dyshohen për veprën penale “falsifikim i rezultatit të votimit”.
10 të tjerë, sipas kryeprokurorit, nuk kanë mundur të intervistohen gjatë ditës së sotme për shkak se kanë qenë jashtë vendit ose për obligime të tjera nuk kanë mundur të jenë të pranishëm.
“Ndaj tyre do të vazhdohet me procedura”, shtoi ai.
Gashi tutje ka theksuar se në Malishevë ka pasur 75 vendvotime dhe pas rinumërimit ka dalë se 9,057 vota janë shtuar, ndërsa 7,996 vota janë hequr.
68 të ftuar për intervistim për dallaveret me vota në Malishevë
(E përditësuar 11:55) - Siç ka mësuar KOHA, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ftuar për intervistim 68 persona, lidhur me dyshimet për dallavere me vota në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në komunën e Malishevës.




VIDEO:
(09:35) - Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur të mërkurën një aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në komunën e Malishevës, duke intervistuar dhjetëra komisionerë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Drin Domi, ka konfirmuar për KOHËN se aksioni ka të bëjë me dyshime për manipulime me vota në favor të kandidatëve për deputetë.
Ngjashëm si në Prizren, edhe në Malishevë, dallimet më të mëdha në numrin e votave pas rinumërimit janë evidentuar te Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Në këtë parti, kandidati Gazmend Maliqaj ka rezultuar me 927 vota më pak, ndërsa Fetah Paçarizi, i cili në Prizren kishte mbi 6 mijë vota më pak, në Malishevë ka pasur 728 vota më pak. Po ashtu, kandidati Adnan Thaqi ka humbur 703 vota pas rinumërimit, ndërsa Hajdar Beqa dhe Arbnor Salihu kanë pasur nga 244, përkatësisht 209 vota më pak.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, kandidati Valon Hoti ka pasur 312 vota më pak, ndërsa Gani Krasniqi 271 më pak pas rinumërimit.
Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK), vetëm kandidati Gëzim Hazrolli ka shënuar një dallim më të theksuar, me 340 vota më pak pas rinumërimit në Malishevë.
Për dallavere me vota nga kandidatët për deputetë, në një aksion të Prokurorisë, u arrestuan 109 persona në Prizren. Prej tyre, 23 përfunduan në paraburgim.
Ka pasur nisje të hetimeve edhe në komuna të tjera.