Hapja për kalimin e automjeteve në urën e 36-të mbi lumin Ibër, i cili e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, është bërë një ditë pasi që në të kanë përfunduar punimet për asfaltim dhe gjashtë ditë para afatit zyrtar, të paraparë për 1 shtator. Që nga orët e para të së martës, ura e re është frekuentuar nga qytetarë të shumtë që e kualifikuan hapjen e saj si të mirëseardhur për të gjithë banorët
Ura e re e ndërtuar mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, është hapur të martën si një alternativë e re për qarkullimin e banorëve të qytetit.
Hapja për kalimin e automjeteve në urën e 36-të mbi Ibër është bërë një ditë pasi që në të kanë përfunduar punimet për asfaltim dhe gjashtë ditë para afatit zyrtar, të paraparë për 1 shtator.
Që nga orët e para të mëngjesit, ura e re është frekuentuar nga qytetarë të shumtë, të cilët nëpërmjet kamerave të telefonave të mençur e kanë dokumentuar ngjarjen me fotografi.
Pasi e ka bërë një shëtitje mbi të, qytetari Hamdi Shartari e ka vlerësuar hapjen e urës si të mirëseardhur për të gjithë banorët.
“Kjo urë ndihmon shumë... Për shembull, kthehemi kah Kroi i Vitakut andej, ose te Minatorët atje te Kodra e Minatorëve, ka shqiptarë që kanë jetuar në ato kushte... po qe se sëmuret dikush, shtëpia e shëndetit është këtu drejt me këtë urë. E tash paramendo sa i duhet atij (banori) që të vijë prej atje qoftë në këmbë ose në makinë, e të sillet rreth e përqark tek ura atje, te stacioni i trenit e në këto tollovi, e në këto kolona, e të vijë në shtëpi të shëndetit, në urgjencë”, është shprehur ai.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe qytetari tjetër i Mitrovicës, Naim Beqiri.
“Është kënaqësi e madhe ta shohësh ndërtimin e urës, një projekt që është dashur të jetë edhe para shumë vjetësh... po (është) shumë kënaqësi e madhe, e papërshkrueshme. Edhe po e shoh me shumë të drejtë që e kanë ndërtuar të re, sepse ajo ura andej ka mundur të ketë defekte ngase është mbaruar para shumë vjetësh”, ka thënë Beqiri.
Krahas automjeteve të qytetarëve, mbi urën e re të martën kanë qenë të shumta edhe ato të Policisë së Kosovës. Në Polici kanë bërë të ditur se duke nisur nga e marta nga zona janë larguar ekipet e Njësisë Speciale, të cilat kanë qëndruar në terren deri në përfundimin e punimeve në urë.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos nixisn provokime pas hapjes së urës së re mbi Ibër.
“Sot është marrë vendimi për t’u lëshuar. Ne i kemi larguar njësitë speciale, tash janë policët e rendit edhe disa ditë derisa të mësohen qytetarët me këtë pamje, që ajo është veç urë, edhe për t’u treguar qytetarëve që nuk kanë nevojë të provokojnë, sikurse edhe për kalimin në përgjithësi në veri të vendit që ne çojmë mesazh te qytetarët shqiptarë që nuk kanë nevojë të vijnë dhe të provokojnë”, ka thënë Elshani.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vlerësuar se ura është stabile dhe se pranimi teknik do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme.
“Ne e kemi marrë raportin paraprak rreth stabilitetit të urës. Për të gjitha mostrat që janë marrë më herët, trarin, mostrat e betonit dhe mostrat e armaturës që është përdorur aty, dhe na ka ardhur raporti që gjithçka është në rregull, sipas projektit. Është vetëm formalitet ky testimi me ngarkesa. Është procedurë se kontrata nuk ka përfunduar ende, ura ka përfunduar dhe është lëshuar për qarkullim, por ende do të përfundojnë trotuaret, ka ende punë për t’u kryer aty deri sa bëhet pranimi teknik komplet i kontratës”, ka thënë Durmishi.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook ka uruar qytetarët e Mitrovicës për hapjen e urës.
“Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër. Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim”, ka shkruar Kurti.
Postim të ngjashëm ka bërë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tek ka publikuar fotografi të veturave duke kaluar mbi urën e re.
Krahas urës së re të hapur të martën për kalimin e automjeteve, mbi lumin Ibër është duke u ndërtuar edhe një tjetër për këmbësorë. Ndërtimi i tyre, në vlerë totale prej rreth 3 milionë eurosh, ka nisur pas një memorandumi midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.
Pak kohë pas fillimit të punimeve, Prokuroria Speciale ka nisur hetime për kontratën nën dyshimin për keqpërdorim të fondeve publike. I gjithë projekti është përcjellë me reagime nga faktori ndërkombëtarë dhe nga Lista Sërpska, subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës e që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në këtë parti e kundërshtuan ndërtimin e tyre dhe në këtë funksion kanë iniciuar edhe peticion me mbi 3.500 nënshkrime.
Në Bashkimin Evropian (BE) kanë thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi Ibër “ka rëndësi praktike dhe politike” dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
Dy urat e reja në Mitrovicë janë ngritur afër asaj qendrore, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Brukseli zyrtar. Kjo urë është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e pati paralajmëruar në korrik të vitit të shkuar hapjen e saj edhe për automjete, në atë që ka nxitur tensione e reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia u patën pajtuar në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve që ura të hapet për qarkullim më 2014. Për këtë është paraparë revitalizimi dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura në urë nga serbët lokalë.
Më 2016 është arritur marrëveshje për një plan të ri zbatimi për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej hapur për komunikacion në janar të 2017-s.
Punimet për revitalizim kanë përfunduar në qershor të 2018-s, porse ura në të cilën janë investuar 1.5 milion euro nuk është hapur kurrë për automjete.