Arbëri

Radomiroviq: Vukashinoviqi në gjendje të rëndë, u qëllua me urdhër të Radoiçiqit

Ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, ka thënë se serbi që u qëllua brenda Kosovës nga xhandarmëria serbe, Milan Vukashinoviq, është në gjendje të rëndë. Si mik i familjes së Vukashinoviqit, ai theksoi se plaga që ai e ka marrë në shpinë i mbart shenjat dalluese të Millan Radoiçiqit. E udhëheqës të institucioneve e dënuan këtë veprimi të Serbisë, të cilin e kualifikuan si hakmarrje ndaj serbëve që nuk u binden urdhrave të saj

Tri ditë pasi u qëllua me armë zjarri brenda territorit të Kosovës serbi nga veriu, Milan Vukashinoviq, në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë të martën ka pasur frekuentim të shtuar të automjeteve të KFOR-it dhe të EULEX-it.

Rastin në polici e raportoi ish-zëvendësministri, Radoica Radomiroviq, i cili është interesuar për gjendjen e Vukashinoviqit, me kërkesë të familjes.

Ai, si mik i familjes së të plagosurit, tha se 10 persona të maskuar kanë hyrë në terrorin e Kosovës, derisa shtoi se gjendja e Vukashinoviqit është e rëndë.

“Tash kemi më shumë informata, nëna ka shkuar ta shohë Milan Vukashinoviqin, i cili ndodhet në gjendje shumë të rëndë. I është hequr një veshkë, e ka një plumb në shpinë. Pra, është dërguar në gjendje të rëndë në qendrën klinike”, tha Radomiroviq.

Ai e sheh sulmin si hakmarrje të Milan Radoiçiqit, pasi thotë që ai ka qenë ndër serbët e Kosovës që nuk kanë dhënë dorëheqje kur këtë ia kërkoi Serbia. E vërejtje shpreh edhe për stafin mjekësor në Nish, ku Vukashinoviqi po trajtohet.

“Sjellja e stafit mjekësor të qendrës klinike ishte jokorrekte, sidomos e drejtorit të qendrës Zoran Petrushiq, i cili nuk e lejoi nënën ta vizitonte djalin e saj dje. Ai gjithashtu i tha se ka metal në shpinë. Nuk mund të jetë metal, por është plumb. Përndryshe, Milan Vukashinoviq u qëllua pas shpine, me urdhër të Milan Radoiçiqit. Millan Radoiçiqi i qëllon të gjithë prapa shpine sepse ai nuk ka guximin t’i shikojë në sy njerëzit që i vret”, tha Radomiroviq.

Radomiroviq tha se Serbia e pati në sy të keq Vukashinoviqin meqë ai nuk hoqi dorë nga puna e tij në Byronë Kosovare të Sigurimeve as më 2022-n, kur persona të panjohur i vendosën eksplozivë në veturë. Ky nuk është kërcënimi i parë që ai e mori, pasi në janar të 2020-s, u pat arrestuar në Serbi vetëm pse punonte në një kompani anëtare të Byrosë së Sigurimeve.

Institucionet e Kosovës e kanë dënuar plagosjen dhe rrëmbimin Vukashinoviqit.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia vetëm propagandon për mbrojtjen e serbëve, teksa i sulmon të gjithë ata që janë kundër Vuçiqit. E hyrjen e trupave të Serbisë brenda Kosovës, ajo e kualifikoi rrezikim për paqen në rajon.

“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës.  Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, ka shkruar Osmani.

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i ndëshkojë veprimet destabilizuese të Serbisë.

Në Polici njoftuan të hënën se më 1 nëntor, një serb i Kosovës është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, nga xhandarmeria serbe. Në KFOR theksuan se janë në dijeni të raporteve teksa situatën e sigurisë në kufirin me Serbinë e kualifikuan si të qetë.