Arbëri

Rama: Pranverën e ardhshme Diella do të jetë prezente edhe fizikisht

Edi Rama

Foto: Associated Press

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ministrja virtuale Diella, në pranverën e ardhshme, do të jetë prezente edhe fizikisht, jo vetëm në parlament por edhe në studio televizive. 

Këtë deklaratë Rama e ka dhënë gjatë fjalës së tij në prezantimin e platformës Startup Albania.

“Jam 100% i sigurt që shumë shpejt, jo shumë vonë, ministrat e inteligjencës artificiale nuk do të jenë lajm në të ardhmen. E di që ne e kemi vjedhur këtë vëmendje mediatike, por do të ndodhë. Nuk është thjesht fakti që bën disa procese të automatizuara, por e rëndësishme është e presionit psikologjik që ushtron te njerëzit, humanët për të bërë me shpejtësi procesin dhe sjellë rezultate. Besoj se shumica e proceseve që ne sot ia kërkojmë njerëzve do të bëhet me IA, këtë s’e kam shpikur unë. Qielli është kufiri, ne duhet të avancojmë dhe nxisim inovacionin. Besoj se shumica e proceseve të jenë të suksesshme. Besoj se në pranverën e ardhshme do ta kemi këtu, mund t’i bëni edhe pyetje vetë. Do të jetë me prezencë, njohuri, kapacitetin për të reaguar, debatuar e diskutuar dhe thënë gjëra të reja që ne nuk i dimë. Ne po e sjellim në takime qeveritare, e kemi në parlament, për momentin jo vizualisht të dukshme dhe shumë shpejt do të jetë në TV duke folur me gazetarët”, ka thënë Rama. 

Ai shtoi se do të ketë kapacitete të avancuara, por kjo ministre nuk do të marrë asnjë vendim dhe nuk ka asnjë të drejtë qeverisje. 

Sipas tij, puna e Diellës si një ministre e krijuar nga Inteligjenca Artificiale është të procesojë sa më shpejt të dhëna dhe të kthejë përgjigje të shpejta.

“Ne nuk po i delegojmë përgjegjësinë për të qeverisur apo për të marrë vendime përfundimtare. Po i japim asaj përgjegjësinë të bëjë atë që ajo bën më mirë se ne. Dhe ajo është të procesojë të dhëna në mënyrë të shpejtë dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta”, ka thënë Rama, raportoi “A2CNN”.