Arbëri

Rama sërish vepron pa leje, konkurs para zgjedhjeve për kompleksin memorial që s’e menaxhon komuna

Komuna e Prishtinës ka shpallur thirrje publike për ofertim për ndërtimin e parkut përkujtimor “Dr. Ibrahim Rugova” si dhe memorialin “Adem Jashari”. Tenderët do të kapin vlerën prej 950 mijë eurove. Komuna e Prishtinës ka shpallur tender pa pyetur Agjencinë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale ndonëse këtë e ka obligim ligjor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vazhdimisht thotë që nuk shpenzon para për projektim të tenderëve, pasi projektet i kryen Zyra e Arkitektit të Qytetit.

Por kështu nuk ka vepruar me projektin për parkun memorial “Ibrahim Rugova” dhe atë “Adem Jashari”. 800 mijë për parkun “Dr. Ibrahim Rugova” e 150 mijë për atë “Adem Jashari”.

Kryetari Rama është munduar të arsyetohet lidhur me projektet e punuar nga Zyra e Arkitektit.

“Nuk ia kemi paguar 12 milionë euro Zyrës së Arkitektit. Kemi paguar rreth 5 milionë euro për 65 projekte, ndërkohë që qeveria një projekt e ka paguar 8 milionë euro. Kjo është praktikë e zakonshme në qytetet e zhvilluara”, ka thënë ai.

Për këtë projekt kryetari Rama ka formuar edhe juri ndërkombëtare. Në korrik ishin zgjedhur 5 kompani të cilat do të mund të fitonin.

Por sipas Arbër Sadikit, drejtor i Planifikimit në Prishtinë, konkursi është rishpallur sërish në shtator.

Sadiki nuk është përgjigjur se pse këtë projekt nuk e ka bërë Arkitekti i Qytetit.

“Projekti ka përfunduar pa fitues. Nuk e ka plotësuar minimalen. Juria ndërkombëtare ka thënë që nuk i plotësojnë kriteret. Ka rivlerësuar që asnjë propozim nuk mundet me u përcjellë. Për këtë është përsëritur, është në fazën finale. Do të rregullohen të gjitha varrezat që janë aty duke e përfshirë edhe varrezat e dëshmorëve”, ka thënë ai.

Ky është edhe një projekt tjetër për të cilin Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat ligjore.

Me ligjin për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, kjo hapësirë është nën menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin të Komplekseve Memoriale.

Drejtuesit e Agjencisë thonë se komuna është dashur të marrë leje për të investuar para se ta shpallë tenderin.

“S’kemi pranuar ende kërkesë për leje nga Komuna e Prishtinës. Me ligjin në fuqi është nën menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Është obligim ligjor që para se të shpallet tenderi të merret miratimi i cili nuk është marrë dhe nuk kemi pranuar asgjë zyrtare prej anës se tyre. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim sepse ka nevojë për investime. Nuk mjafton vullneti i mirë duhet edhe dakordim patjetër. Ne e presim kërkesën me padurim sepse kjo punë duhet të mbikëqyret nga ne”, ka thënë Imer Hakaj, drejtor i AMKM-së.

Komuna e Prishtinës tenderin e ka titulluar me emrin: “Parku përkujtimor dr. Ibrahim Rugova dhe biblioteka presidenciale” pa përmendur fare dëshmorët dhe veprimtarin Adem Demaçi, trupat e të cilëve pushojnë aty.

Drejtori Hakaj ka thënë se memoriali e ka emrin “Ibrahim Rugova” dhe varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

E njohësi i Urbanizmit Driton Tafallari ka thënë se është mirë që do të investohet në këtë pjesë, po ka theksuar se kryetari Rama është dashur ta shfrytëzojë Arkitektin e Qytetit për këtë projekt.

“E para, është lajm i mirë ndërtimi i parkut dhe memorialit të cilat janë publikuar në formë të konkursit. Meqenëse kemi të bëjmë me dy projekte të rëndësishme, është dashtë të ketë më tepër debat me qytetarë e cila po duket që nuk ka ndodhur. Po ashtu, meqenëse Komuna e Prishtinës vetëm se e ka të kontraktuar Arkitektin e Qytetit është dashur që të angazhohet për projektim të këtyre dy hapësirave”, ka thënë ai.

Për mënyrën se si është bërë ky tenderim ka pasur kritika edhe opozita në kryeqytet.