Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramadani sfidon qeveritarët për narko-testin, Bajqinovci kërkon edhe testin e pasurisë

Burim Ramadani & Mefail Bajqinovci

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, gjatë ditës së djeshme publikoi rezultatet e testit të drogës, duke u bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë që t’i nënshtrohen gjithashtu narko-testit. Ndaj kësaj nisme reagoi menjëherë deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili ka thënë se e mbështet idenë që të gjithë deputetët t’i nënshtrohen narko-testit, por kërkoi që procesit t’i shtohet edhe verifikimi i prejardhjes së pasurisë. Kjo nxiti edhe një tjetër reagim nga Ramadani.

Deputeti i Aleancës teksa postoi videon me rezultatin nga testi i drogës, iu drejtua zyrtarëve qeveritarë duke u thënë se “nëse jeni të pastër, s’është keq të jeni shembull”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por kjo mori menjëherë përgjigje nga Bajqinovci.

“Jam dakord me nismën e Burim Ramadanit për narkotestin te deputetët. Le të testohemi të gjithë, pa asnjë përjashtim. Por, për hir të transparencës, ta shtojmë edhe një test tjetër: testin e prejardhjes së pasurisë. Të hapen kartelat e pasurisë, të krahasohen të ardhurat me milionat, pronat, vilat, banesat dhe bizneset që kanë mbirë gjatë viteve në politikë”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook. 

Bajqinovci shtoi se kush nuk ka frikë nga e vërteta nuk duhet t’i frikësohet as narko-testit dhe as verifikimit të pasurisë.

Pas këtij reagimi, Ramadani iu kundërpërgjigj Bajqinovcit, duke thënë se është “gjysmë-mbështetësi i parë nga pushteti” për nismën e tij.

Sipas Ramadanit, Bajqinovci nuk ka kërkuar që narko-testit t’i nënshtrohen edhe Qeveria dhe institucionet e tjera, duke pyetur se pse po vjen kjo frikë.

“Përtej kësaj, logjika pshtjelluese e kushtëzuese është pjesë e këtij pushteti 6 vjeçar. Por, s’ka lidhje. Bëjeni narko-testin. Që të gjithë ju pushtetarët. Kaq. E thjeshtë është kjo. Narko-testi është vullnetar. Nuk të detyron askush (fatkeqësisht). Ndërsa, hetimi për pasurinë e paligjshme është obligim ligjor, madje prioritet i pushtetit tuaj që 6 vjet!”, ka shkruar Ramadani.