Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, e vlerëson mungesën e të dhënave për barnat problem tepër të madh të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar dhe spitalet rajonale.
Ajo ka thënë se tenderët hapen pak kohë para se stoku i barnave të mbetet i zbrazët, teksa tepër shqetësues e ka cilësuar faktin se për javë të tëra nuk ka pasur albuminë, që është barnë bazike.
“Jemi në vitin 2025 dhe SHSKUK-ja nuk e ka një sistem të mirëfilltë të përcjelljes së kontratave. Problem është që tenderët hapen pak kohë para se stoku të mbetet i zbrazët si pasojë e mungesës së barnave. Këto procese po nisin me vonesë, ka neglizhencë nuk e di me qëllim apo jo, por ka një neglizhencë në hapjen e procedurave të prokurimit”, ka thënë ajo në “60 Minuta” në KTV.
Ramaj është shprehur se Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse edhe për mungesat e barnave në sektorin privat. Sipas saj, nuk ka mekanizëm të ministrisë që e rregullon çështjen e mungesës së barnave bazike.
“Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse edhe për mungesën në sektorin privat. Nëse unë si qytetare pa sigurime shëndetësore duhet t’i blejë me kosto nga xhepi im, MSH e ka për obligim ta sigurojnë një barnë ose ta bëjë maksimumin që ai të gjendet në treg, qoftë edhe me vetëfinancim. Mospërfillja e MSH-së është shqetësuese por mendoj që ka polarizim mes dy anëve dhe nuk është bë një komunikim mes tyre”, ka thënë ajo.
KOHA ka raportuar gjatë korrikut për mungesën e një numri ilaçesh esenciale e bazike. Glukoza, antibiotikët, vitaminat, albuminat e edhe disa barna kundër kancerit kanë munguar në klinikat e QKUK-së. Mungesë të ilaçeve kanë paraqitur edhe spitalet rajonale, si ai i Pejës, Mitrovicës e Gjilanit.
Përveç barnave, në QKUK është raportuar edhe për mungesë të mjeteve elementare, si fasha e flasterë.