Arbëri

Sopi: Irani s’mund të mbështetet më te Rusia, nëse rebelohet SHBA-ja e shkatërron si shtet

sopi

Opinionisti Agim Sopi parasheh që brenda gjashtë muajsh të ndodhin ndryshime rrënjësore në Iran.

Sipas tij, Irani aktualisht është më i dobësuar dhe nuk e ka mbështetjen e Rusisë, çka mund të çojë në ngritjen e popullsisë me kërkesën për ndryshim. Por, nëse kjo nuk ndodh, Sopi thotë se regjimi aktual iranian mund të bëhet edhe më i ashpër.

“Atyre iu ka prerë vrulli, krenaria dhe siguria që e ka pasur prapa, mbështetja, Rusinë më nuk e kanë. Nuk e kanë fuqinë që të krenohen të thonë se kemi fuqi bërthamore. Njerëzit vetëdijesohen se shumëçka ka qenë propagandë dhe marrin guxim dhe shpresoj që brenda 6 muajsh atje do të ndodhin ndryshime esenciale. Nëse nuk ndodhin, populli nënshtrohen sërish dhe regjimi egërsohet më shumë nga ndërhyrja amerikane dhe rebelohet krye në vete, e shoh që Amerika mund t’ia japë ndonjë grusht vendimtar Iranit dhe mund ta shkatërrojë komplet si shtet”, ka thënë Sopi në “Konfront”.


Rrecaj: Është fakt që Irani nuk ka armë bërthamore, por ka program klandestin dhe e ka rritur pasurimin

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, Besfort Rrecaj, ka deklaruar se Irani s’ka armë bërthamore, por tha se është shqetësuese se si e kanë rritur pasurimin e energjisë bërthamore, që dikur ishte rreth 20 për qind.

Ai ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se Irani po e përdor arsyetimin që s’ka armë bërthamore, por tha se kanë krijuar “program bërthamor që ka qenë klandestin”.

“...Arsyetimi i Iranit është se s’kanë armë bërthamore dhe është fakt që s’ka, por programi iranian bërthamor ka qenë klandestin. Edhe është zbuluar me shërbime sekrete dhe atëherë e ka pranuar. Irani s’ka mundur të arsyetohet nëse e ka për nevoja civile”, ka thënë Rrecaj.

Profesori universitar ka shtuar se secili shtet mund të zhvillojë energji dhe programe bërthamore, por tha se kusht është që të jetë transparent “dhe të futet në marrëveshje garantuese e në mbikëqyrje”.

“Pikëpyetja e parë ka qenë fillimi i programit. E tash nëse ke nevojë për energji bërthamore dhe uran të pasuruar për nevoja civile, s’ke nevojë ta pasurosh më shumë se 20 për qind. Ndërsa, te Irani është konfirmuar që pasurimi ka shkuar deri në 60 për qind. S’po mund të arsyetohet”, ka thënë Rrecaj.