Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: Opozita po llogarit se s’ka ku shkon më poshtë, prandaj po provokon zgjedhje

Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se partitë opozitare po llogarisin se nuk kanë ku të shkojnë më poshtë se ku janë aktualisht, dhe për këtë arsye po provokojnë zgjedhje të reja. 

Rrustemi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se nuk ka kuptim provokimi i zgjedhjeve në raportin aktual. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ata po e bëjnë për dy arsye. Duan të humbin kohën e qeverisjes së Vetëvendosjes, po na ik periudha nga mandati ynë i fituar në zgjedhjet e fundit për t’i realizuar zotimet tona, për të përmbushur programin. E dyta llogarisin sikur nuk kanë ku të shkojnë më poshtë, e për të cilën nuk jam i sigurt se nuk kanë ku të shkojnë më poshtë. Ata thonë le të shkojmë në zgjedhje se s’kemi çfarë të humbim, për mua shpjegohet në këtë mënyrë”, tha Rrustemi. 

Ai ka thënë se nuk e kupton se si mund të konsiderohet qesharake oferta e Lëvizjes Vetëvendosje për LDK-në për bashkëqeverisje. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se LDK-së i ka ofruar katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, në këmbim të qëndrimit në sallë për votim të presidentit. 

“Po flasim për çështjen e presidentit që nuk i përket vetëm mazhorancës. Jo për votë, vetëm për pjesëmarrje në Kuvend, duke qenë si deputet brenda detyrave e përgjegjësive të tyre kushtetuese për të marrë pjesë në një proces zgjedhor. Vetëm për të marrë pjesë në votim në seancë, 4 ministri e pozita e zëvendëskryeministrit të parë, se di si mund të konsiderohet ofertë qesharake”, tha Rrustemi.


Hajrullahu: Pse VV-ja s'i ofroi bashkëqeverisje LDK-së para se ta formoi qeverinë?

Redaktori i “Telegrafit”, Muhamet Hajrullahu, ka ngritur pikëpyetje lidhur me kohën dhe mënyrën e ofertës për bashkëqeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas Hajrullahut, në historinë politike të Kosovës nuk ka ndodhur që një parti e vetme të synojë kontrollin e tri pozitave kryesore shtetërore, duke e cilësuar si kërkesë legjitime aspiratën e VV-së për postin e presidentit, por një praktikë të paprecedentë.

Ai thekson se dilema kryesore është pse VV-ja nuk e ka bërë ofertën për bashkëqeverisje më herët, para formimit të qeverisë, emërimit të ministrave dhe zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe situatën aktuale, një qasje e tillë mund të kishte sjellë një zgjidhje tjetër.

Hajrullahu shton se nga takimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, ishte krijuar përshtypja se palët po shkonin drejt një marrëveshjeje.

“Kthehemi pak në historinë politike të Kosovës. Nuk ka ndodhur në historinë politike të Kosovës që një parti të tentojë t’i ketë tri pozita kyçe shtetërore. Është kërkesë legjitime e VV-së ta ketë edhe presidentin, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Pyetja kryesore në këtë muhabet është pse VV-ja kur e ka ditur situatën për të cilën jemi sot duke diskutuar, nuk e bëri pa e bërë qeverinë, pa emëruar ministrat apo kryetarin e Kuvendit dhe nga takimet e Kurtit me Abdixhikun kisha përshtypjen po shkonim drejt rrugës së zgjidhjes. Si doli në fund që kjo ofertë nuk iu bë para se të formohej qeveria kur tema ishte presidenti dhe dolëm në temë të bashkëqeverisjes”, ka thënë ai në “Konfront”.


Alijaj: Opozita e vendosur për zgjedhje, kjo u pa më 5 mars

Analisti politik, Artan Alijaj, ka thënë se ishte e pritur që të mos ketë marrëveshje mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku për çështjen e presidentit.

Në emisionin “Konfront” në KTV, Alijaj deklaroi se opozita është e vendosur që vendi të shkojë sërish në zgjedhje dhe një gjë e tillë është vënë re më 5 mars.

Më datën 5 mars konsiderohej afati i fundit që Kuvendi i Kosovës të zgjedh presidentin e ri të vendit, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje me dy kandidatët për këtë pozitë, nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme.

“E kam thënë edhe më parë që qysh prej 5 marsit ka përfunduar kjo çështje. Mundësi për marrëveshje politike nuk ka pasur. Edhe para këtij takimit të fundit mes Kurtit e Abdixhikut është ditur që opozita nuk ka asnjë arsye që të ketë një marrëveshje më. Opozita është e vendosur që të shkohet në zgjedhje, ka qenë edhe më herët e lëre më pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky ka qenë qëllim legjitim i tyre sepse partitë opozitare kudo kërkojnë metoda që të shkohet në zgjedhje me shpresën se ndryshohet diçka”, ka thënë Alijaj.


Gojnovci: LDK-ja refuzoi ofertën e VV-së duke llogaritur në Vjosa Osmanin

Analisti politik Ejup Gojnovci ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën për bashkëqeverisjeje nga Lëvizja Vetëvendosje për shkak të Vjosa Osmanit.

Sipas Gojnovcit, oferta e VV-së ishte “gjeneroze” dhe një mundësi e mirë për LDK-në që të bëhej pjesë e qeverisë. Megjithatë, ai thekson se refuzimi lidhet me kalkulimet politike të LDK-së, veçanërisht me situatën e Vjosa Osmanit – e cila në raste të zgjedhjeve pritet të jetë pjesë e listës së kësaj partie.

Ai shtoi se LDK-ja po synon rritjen e mbështetjes elektorale përmes kësaj strategjie, duke u mbështetur edhe në ndikimin e Osmanit.

Gojnovci përmend gjithashtu edhe rolin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të cilin thotë se po kërkon një situatë që do t’i mundësonte partisë së tij të rrisë votat dhe të sigurojë një pozicion kyç në shtet, në rast se VV dobësohet dhe nuk arrin të formojë e vetme qeverinë.

“Abdixhiku po e kërkon këtë situatë, ta rrisë votën e LDK-së me Osmanin dhe nëse do të kemi dobësim të VV-së dhe mos ta krijojë e vetme qeverinë, atëherë do ta merrte një nga pozicionet kyçe shtetërore”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.