Arbëri

Salihu: S’ka orientim strategjik të premtimeve nga kandidatët për kryetarë komunash

bekim salihu

Bekim Salihu nga GAP ka vlerësuar se nuk ka shumë orientim strategjik të premtimeve në kuptimin e investimeve nga kandidatët për kryetarë të komunave.

“Rahoveci njihet si komunë bujqësore dhe pritet që  shumicën e investimeve t’i orientojë në atë fushë dhe jo të kemi uniformë të premtimeve. Kur i sheh premtimet në Junik ngjasojnë me Prishtinë, kur e sheh Juniku i ka 300 mijë euro për investime kapitale ndërkaq Prishtina 501 milionë”, ka thënë ai.,

 Ai ka thënë se janë 1815 premtime nga kryetarët aktualë të 27 komunave në Kosovë.

Ka deklaruar në emisionin “60 minuta” në KTV, se vetëm 918 premtime janë përmbushur plotësisht.

Sipas tij, sipas përqindjes, 15 për qind e premtimeve janë përmbushur.

Salihu ka nënvizuar se që nga mandati i vitit 2007 deri në 2017, numri i premtimeve që janë dhënë në zgjedhjet lokale, nuk e ka tejkaluar numrin e premtimeve në këtë mandat qeverisës.

“Shikuar numerikisht, numri i premtimeve është rritur, por jo edhe në përqindje. Gara është e fortë në shumë komuna dhe kjo i shtyn kandidatët të japin premtime të ndryshme. Kryetari i Prishtinës i ka dhënë 206 premtime. Prej tyre, 73 janë përmbushur plotësisht. Kreu i Prishtinës progres në realizimin e premtimeve e ka pasur në arsim, administratë dhe kulturë ndërkaq më së paku janë përmbushur në bujqësi, infrastrukturë, ekonomi dhe shëndetësi”, ka thënë ai.

Salihu ka shtuar se risi në këtë mandat është që fusha e infrastrukturës del të jetë me numër të vogël të premtimeve të realizuara në të gjitha komunat.

Sipas tij, numri i premtimeve të kryetarëve të komunave dallon.

Ai ka thënë se shëndetësia ka qenë fusha ku janë përmbushur premtimet më së shumti, duke shtuar se kjo ka ndodhur për shkak se mandati ka nisur në pandemi.

“Ka shumë projekte që kryetarët e komunave i kanë realizuar por që nuk janë premtuar. Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të nevojave të qytetarëve.

Sipas GAP-it ashtu si në mandatin e kaluar (2017-2021), kur ishin përmbushur 51% e premtimeve, edhe në mandatin aktual, shkalla e përmbushjes mbetet e njëjtë me 51%.

“Sipas fushave, më së shumti janë përmbushur premtimet në shëndetësi (66%), arsim (63%), administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%). Ndërsa, më së paku janë përmbushur premtimet në urbanizëm (34%), infrastrukturë (37%) dhe shërbime publike (41%). Nga 382 premtimet që nuk kanë filluar të përmbushen, 98% e tyre janë përgjegjësi e nivelit lokal, ndërsa vetëm 2% kërkojnë koordinim ndërinstitucional për t’u realizuar”, thuhet në “Letërnjoftimin e Komunave” të publikuar nga GAP.