Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas komunikatës zyrtare, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor në një zonë të njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Policia ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, ka njoftuar dhe bashkëpunuar me KFOR-in që është përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë ka shkruar se informacionet e para lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e dyshuar i pari i bëri publike avokati Ivan Niniq në Serbi. Ai shkroi në X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë gjatë të shtënave në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit dhe se mjekët në Qendrën Klinike Universitare në Nish po tentojnë që t’ia shpëtojnë jetën.

Në postimin e tij në X, Niniq ndër të tjera ngriti pyetjen nëse në incident kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në uniforma kamuflazhi, pa shenja dalluese.

KFOR-i për serbin e rrëmbyer: Jemi në dijeni, policia ka nisur hetim dhe mbetemi në kontakt të ngushtë

12 o. më parë / 3 nën 2025 21:58
KFOR

Pas plagosjes dhe rrëmbimit të serbit brenda territorit të Kosovës, KFOR-i në Kosovë thotë se janë në dijeni të këtij rasti. Në një përgjigje të shkurtë për KOHËN, thonë se Policia e Kosovës ka nisur hetim për këtë rast dhe se janë në kontakt të ngushtë për këtë çështje.

“Jemi në dijeni të këtyre raporteve. Situata e sigurisë në Vijën Kufitare Administrative (ABL) është e qetë. Policia e Kosovës (PK) ka nisur një hetim dhe mbetet në kontakt të ngushtë për këtë qëllim me disa subjekte, përfshirë KFOR-in. PK-ja ka koordinuar aktivitetet e saj përkatëse në anën e Kosovës të ABL-së me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Osmani: Rrëmbimi i serbit, dëshmi e qasjes hegjemoniste të Serbisë, skena politike të flasë me një zë

12 o. më parë / 3 nën 2025 21:15
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Pas plagosjes e rrëmbimit të qytetarit serb në territorin e Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo e quajti këtë dëshmi shtesë të qasjes hegjemoniste të Serbisë, ku çdo qytetar që flet për regjimin autokratik të Vuçiqit, sulmohet e torturohet.

Osmani poashtu kërkoi që bota demokratike të reagojë e skena politike e vendit të flasë me një zë për mbrojtjen e Kosovës.

“Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, shkroi presidentja Osmani në faqen e saj në Facebook.

Sveçla për rrëmbimin e serbit: Shkelje e kufijve shtetërorë, koha e fundit që ndërkombëtarët të ndëshkojnë Serbinë

13 o. më parë / 3 nën 2025 20:13
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas plagosjes dhe rrëmbimit të qytetarit serb me shtetësi kosovare brenda territorit të Kosovës që ndodhi të shtunën.

Sveçla e quajti shkelje të rëndë të kufijve shtetërorë dhe vazhdë të politikave për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit.

“Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit. Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Në reagimin e tij, Sveçla deklaroi që është “koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”.

Ish-zv.ministri Radomiroviq pretendon se ishte dëshmitar i rastit të rrëmbimit të serbit: E bëri grupi i Radoiçiqit

14 o. më parë / 3 nën 2025 19:36
rrembimi-xhandarmeria serbe

Foto: Ilustrim

Ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka pretenduar se ka qenë dëshmitar në rastin e rrmëbimit të serbit Milan Vukashinoviq në Leposaviq nga xhandarmëria serbe, që sipas Policisë së Kosdovës ndodhi më 1 nëntor.

Ai për “Betimi për Drejtësi“, ka rrëfyer se si sipas tij ndodhi ngjarja, duke thënë se qytetarin Milan Vukashinoviq e rrëmbeu dhe plagosi grupi i Milan Radoiçiq.

Ai pretendon se e gjithë ngjarja ndodhi kur Vukashinoviq ka shkuar për të blerë mjaltë nga një person i punësuar në Ushtrinë e Serbisë. Tha se Vukashinoviq është pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërkaq sipas tij, vitin e kaluar Radoiçiq tentoi ta vriste Vukashinoviqin duke i vendosur eksploziv nën makinë.

Sipas tij, më 1 nëntor rreth orës 12:00, Vukashinoviq ndodhej me makinën e tij në fshatin Jelakce dhe në vendin e quajtur Lokvica, që ndodhet në Kosovë, por afër kufirit me Serbinë, ai kishte shkuar të blinte mjaltë nga një person me emrin Daki Antiq nga Kurshumlia, i cili është i punësuar në Ushtrinë e Serbisë.

“Atë ditë duhej të merrte mjaltë, si zakonisht. Daki Antiq futej rreth 200 metra në territorin e Kosovës dhe pastaj kthehej në Serbi. Milan zakonisht blinte deri në 5 kg mjaltë. Gjatë mbërritjes në vendin e takimit, nga pylli dolën persona të armatosur, të veshur me uniforma të zeza dhe jeshile, me maska në fytyrë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Milan Vukashinoviq nuk është ndalur por ka vazhduar të voziste.

“Milan Radoiçiq, i njohur si frikacak, gjithmonë qëllon nga pas dhe kështu bëri edhe këtë herë”, ka thënë ai.

Tutje, sipas Radomiroviq, pas ngjarjes tragjike, grupi terrorist e transportoi Vukashinoviqin në Spitalin e Prokupljes. Tha se me duart e lidhura dhe nga ambulanca, ai ka arrtiur të telefononte nënën e tij dhe t’i thoshte se ishte sulmuar në Kosovë, se ishte plagosur dhe se po e çonin në Spitalin e Nishit.

“Më 02.11, përmes miqve nga Nishi, mësova se Milani ishte në gjendje të rëndë, se i ishte hequr një veshkë, mbështjellësi i zemrës (perikardi) dhe se kishte plumb në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, nga miqtë kam mësuar se Radoiçiq ndodhej në Kosovë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, përfshirë një oficer me emrin Sedlar”, ka shtuar ai.

Siç pretendon ai, ata kishin ardhur me tre xhipa pa targa dhe në Prokuplje askush nga policia nuk guxonte të pyeste çfarë po ndodhte.

“Milan Vukashinoviq u dërgua në Spitalin e Nishit, ku e priti drejtori i Qendrës Klinike të Nishit, Zoran Perishiq. Zoran Perishiq ndaloi personelin mjekësor të jepte çdo informacion për gjendjen shëndetësore të Milan Vukashinoviqit, të plagosur dhe të rrëmbyer”, u shpreh ai.

Ai shton se deklaron me përgjegjësi se ka qenë në atë vend- Jelakce, me personin që pretendohet se është rrëmbyer, por asnjëherë nuk kanë hyrë në Serbi. Dhe sipas tij, Milan Vukashinoviq është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punonjës i një shoqërie sigurimesh kosovare.

“Milan (Vukashinoviq) nuk i ka lënë institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe që nga ajo kohë nuk shkon në Serbi. Në vitin 2024, Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë”, ka shtuar ai.

Vukashinoviq, ka dërguar edhe lokacionin ku pretendon se ndodhi ngjarja dhe thotë se për të gjitha këto ka dhënë deklaratë edhe Policinë e Republikës së Kosovës./Betimi për Drejtësi