“Prokurori Danilo Ceccarelli na ka shantazhuar, të flas apo ta pranoj që i kam marrë paratë nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Azem Syla, dhe na ka thënë kështu: Pranoje që i ke marrë paratë edhe je i lirë edhe për atë veprën tjetër ‘shko prej shpije’... për këtë arsye nuk qëndroj në asnjë fjalë... Ka filluar nga prokurori Salustro me agjendë të BIA-s serbe, Nazim Bllaca, edhe disa shqipës, edhe disa shqipës dhe ka përfunduar me prokurorin Danilo Ceccarelli me shantazhe”, ka thënë Shaban Syla, tek ka paraqitur mbrojtjen
Mbrojtja e të akuzuarit kryesor në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla, i ka quajtur montime akuzat e Prokurorisë Speciale për veprat penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje e mitës”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizim i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal” lidhur me ndryshimin e kundërligjshëm të pronësisë së pronave shoqërore.
Në një nga rastet më të zvarritura dhe për të cilin misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX – ka ngritur aktakuzë në vitin 2016, të akuzuar janë 18 persona. Të enjten ka nisur paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarve para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Besnik Berisha, avokat i të akuzuarit Azem Syla, ka kërkuar që të pranohet deklarimi i klientit të tij në procesin gjyqësor të vitit 2020.
“Meqë gjatë këtij rigjykimi ose gjykimi rishtazi nuk është administruar asgjë e re, përmbajtja e provave nuk ka ndryshuar as në aspektin sasior e as cilësor, marrë parasysh se ka shumë vjet që presim ta kemi një verdikt së paku në seancën e parë me qëllim të ekonomizimit të kësaj procedure, të bindur se z. Syla jo vetëm që nuk ka detyrim për ta provuar pafajësinë e tij, por barra e të provuarit ka dështuar kundër tij, unë me respekt ju lus që mbrojtja e tij e dhënë më 19.2.2020 të jetë pjesë integrale e këtij procesverbali, ndërkaq nëse ka pyetje të tjera z. Syla është i gatshëm të përgjigjet, por unë e konsideroj që nuk ka nevojë për pyetje të reja”, ka theksuar Berisha.
Propozimi e avokatit është miratuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga Arben Hoti, me justifikimin se është shteruar marrja në pyetje e të akuzuarit. Trupi gjykues nuk i ka shtruar asnjë pyetje të akuzuarit kryesor. Mbrojtjen në rastin “Toka” e ka paraqitur edhe i akuzuari tjetër, Shaban Syla. Ai ka shprehur qëndrimin se akuzat janë të gatuara prej Serbisë kundër Azem Sylës, i cili ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK).
“Prokurori Danilo Ceccarelli na ka shantazhuar, të flas apo ta pranoj që i kam marrë paratë nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Azem Syla, dhe na ka thënë kështu: Pranoje që i ke marrë paratë edhe je i lirë edhe për atë veprën tjetër ‘shko prej shpije’... për këtë arsye nuk qëndroj në asnjë fjalë... Ka filluar nga prokurori Salustro me agjendë të BIA-s serbe, Nazim Bllaca, edhe disa shqipës, edhe disa shqipës dhe ka përfunduar me prokurorin Danilo Ceccarelli me shantazhe”, ka thënë Shaban Syla.
Fikrije Fejzullahu, prokurore speciale, ka paraqitur vërejtje mbi versionin e të pandehurit, duke thënë se shantazhet dhe kërcënimet është dashur që të raportoheshin.
“Përgjatë tërë këtyre viteve a ka ekzistuar mundësia që në shtetin tonë të paraqitet ose të njoftohet ndokush për shantazhe dhe kërcënime në mënyrë të vazhdueshme, ju faleminderit”, ka thënë ajo.
Adelina Hoxha, avokate e Shaban Sylës, i është përgjigjur se klienti i saj është i përcaktuar për mbrojtje në heshtje.
“E shfrytëzoj të drejtën e mbrojtjes në heshtje dhe nuk kemi çfarë të konstatojmë asgjë më shumë”, ka thënë Hoxha.
Trupi gjykues ka vendosur që ta aprovojë propozimin e Prokurorisë që të pranohet si provë dosja e forenzikës nga bastisja e Prokurorisë së Serbisë në shtëpinë e të pandehurit, Vidosav Novakoviq, në Smederevë të Serbisë. Ky rast i hetuar prej EULEX-it është ndër hetimet e rralla ku ka pasur bashkëpunim të organeve të drejtësisë të Serbisë me ato të Kosovës.
Të pandehurit akuzohen se kanë falsifikuar vendime gjyqësore dhe dokumente të tjera të pronave shoqërore dhe të serbëve për t’i marrë nën pronësi. Sipas aktakuzës, në periudhën midis viteve 2006-2016, të pandehurit kanë korruptuar zyrtarë të Gjykatës Komunale në Prishtinë, si dhe zyrtarë komunalë të Kadastrës, duke i siguruar fillimisht dokumentet origjinale nga Serbia e më pas duke i falsifikuar ato.