Rruga, trotuaret e kjo plate në kubëza shfrytëzohen çdo të martë nga tregtarët për të ekspozuar mallrat e tyre në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës.
Në këtë vend pushteti komunal kishte premtuar ndërtimin e tregut, por, siç shihet nga pamjet, aty gjithçka duket e improvizuar.
Tregtarët thonë se detyrohen që ta ekspozojnë mallin e tyre edhe në tokë, për shkak se mungon infrastruktura përcjellëse.
“Po unë i kamë valla tri vite që vij këtu. S’kemi pasë ndonjë telashe, po faktikisht tregu s’i mbulon nevojat as 50 për qind, që do të thotë është e nevojshme një treg me përmasa ma të gjera, se ka popullsi shumë, ka blerës shumë edhe shitës ka të mjaftueshëm, vendi mungon. Por, sidoqoftë, këtu skaj rruge në këtë mënyrë edhe përfundojmë”, tha shitësi Idriz Kurtolli.
“Sikur krejt qysh janë t’u shit edhe na shesim. Jetë e vështirë boll, çka me të thanë, jo veç unë, por po e sheh edhe vetë, këqyre dalin edhe plakat shesin, të rinjtë”, tha shitësi Behram Gashi.
Ndërtimi i tregut në fshatin Bresje ka qenë premtim i kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, së paku qe dy mandate. Por, deri tash ky projekt nuk është realizuar.
Zyrtarët komunalë thonë se ndërtimi i këtij tregu nuk është i paraparë as këtë vit.
“Tregu është aktualisht në atë gjendje çfarë është, domethënë i mungon pjesa përcjellëse infrastrukturale. Por, sido që të jetë, ai është në shërbim të qytetarëve, qytetarët ofrojnë shërbime aty dhe të tjerët marrin. Unë e di dhe e kuptoj që ka qenë një prej premtimeve të kryetarit të Komunës, por që ende nuk është i realizuar. Ne po shpresojmë që në planifikimet tona në të ardhmen edhe ky treg do të marrë formën e vet të merituar. Por, për momentin është në këtë gjende çfarë është, do të thotë me gjithë ato të mira apo dobësi që mund t’i ketë”, tha Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë-Kosovës.
Shefi i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në këtë komunë, Durim Hajra, ka theksuar se kjo pjesë ku ekspozohen mallra të ndryshme për shitje nuk mund të quhet as treg, për shkak se, sipas tij, nuk ka kushte për një gjë të tillë.
“Kryetari i cili e ka mandatin e pestë në vazhdimësi e ka pasë premtim elektoral që të investojë në këtë treg e që nuk e ka bërë. Është absurditet i llojit të vet që një komunë, siç është Komuna e Fushë-Kosovës, që ka një bartje prej 5 milionë eurosh, pra që nuk investon dhe nuk i përmbush premtimet, nuk kanë ndonjë kosto të madhe. Por, çka është më interesante, që ne dyshojmë se edhe kjo është arsyeja kryesore që kjo qeverisje nuk investon, sepse ky treg frekuentohet dhe shfrytëzohet nga komunitetet pakicë”, tha Durim Hajra, shef i grupit të këshilltarëve të VV-së në Fushë-Kosovë.
Hajra ka thënë se pavarësisht që shumica e komuniteteve në vazhdimësi e kanë votuar kryetarin Berisha, sipas tij, ai vazhdon t’i diskriminojë ata.