Arbëri

Shpallet e pafajshme arsimtarja që akuzohej se keqtrajtoi nxënësit e klasës së 6-të në Gjakovë

Pas 4 vjetësh prej kur dyshohet se ka ndodhur sulmi ndaj nxënësit Ermal Skënderi, nga mësimdhënësja Leonora Doli, këtë të fundit, Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur të pafajshme.

Ajo akuzohej se nga fillimi i vitit shkollor 2015 e deri më 11 dhjetor të atij viti, në shkollën fillore “Emin Duraku” në Gjakovë, si mësimdhënëse e matematikës, në mënyrë të vazhdueshme e keqtrajtonte dhe frikësonte nxënësin e saj të klasës së 6-të.

“Gjyqtari i vetëm gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave dhe fjalëve përfundimtare, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se e akuzuara, L.D., ka kryer veprat penale për të cilat akuzohej dhe të njëjtën e ka liruar nga akuza për këto vepra”.

Por, këtë vendim të gjykatës po e kundërshtojnë familjarët.

Arta Skënderi, nëna e Ermalit ka thënë se gjykatësi nuk i ka marrë parasysh dokumentet që ata, si palë e dëmtuar, i kanë ofruar për të dëshmuar dhunën që është përdorur ndaj djalit të tyre.

KTV-ja ka siguruar dëshmitë e mjekësisë ligjore dhe të Inspektoratit të Arsimit, ku thuhet se Leonora Doli kishte ushtruar dhunë ndaj nxënësit të saj.

Më 12 janar të vitit 2015, Inspektorati i Arsimit kishte nxjerrë një rekomandim që arsimtarja të dalë para komisionit disiplinor, masë e vetme që ishte shqiptuar ndaj saj.

Ndërkaq, mësimdhënësja Leonora Doli, përmes telefonit, ka thënë se kur ta pranojë nga gjykata vendimin në formë të shkruar, do të flasë për media.

Ermal Skënderi, që nga viti 2015 nuk i ka vijuar mësimet e shkas për këtë, sipas familjarëve, është bërë dhuna fizike që arsimtarja e matematikës, Leonora Doli, ka ushtruar ndaj tij për disa muaj.