Arbëri

Shtatzënat alarmohen nga thirrja e Trumpit për paracetamolin, ekspertët: S'ka prova

Donald Trump

Donald Trump

Foto: Associated Press

Gjinekologia Merita Demiri-Demolli ka thënë se deklarata e presidentit amerikan Donald Trump se marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë ndërlidhet me autizmin, ka nxitur shqetësim në Kosovë. Ajo ka thënë është se për keqardhje deklarata e tillë në një periudhë shumë të ndjeshme për gratë.

Në emisionin “SOT” në KTV, Demiri-Demolli ka treguar për shqetësimet e pacienteve të saj, por ka thënë që shtatzënat nuk duhet të dëgjojnë deklarata të pabazuara shkencëtarisht, por këshillat e mjekëve.

“Që nga deklarata e presidentit amerikan, shqetësimet e shtatzënave që janë tani, por edhe ato që kanë konsumuar paracetamolin më herët kanë ngritur shqetësimin... është për keqardhje sepse është periudhë shumë e ndjeshme e gruas në këtë periudhë dhe deri më tani paracetamoli është i linjës së parë për trajtimin e gjendjes. Por normalisht ne s’rekomandojmë marrjen e dozave të tepërta apo të pakontrolluara, por kur është e nevojshme është zgjidhja e parë me dozë të ulët për ulje të temperaturës”, ka thënë ajo. “Për shtatzënat, për shkak se është ngritur kjo polemikë, u rekomandoj kur kanë dhimbje e temperaturë mos të hezitojnë nëse gjinekologu i tyre e sheh të nevojshëm dhënien e paracetamolit. Në asnjë moment, jo vetëm për paracetamolin, por asnjë tjetër ne nuk rekomandojmë marrjen e terapisë pa konsultë nga mjeku, por të mos hezitojnë kur është e nevojshme”.

Demiri-Demolli ka thënë se deri tash nuk ka asnjë hulumtim shkencor që ka vërtetuar ndërlidhje të paracetamolit me çrregullimet e autizmit. Megjithatë, ajo ka thënë se rekomandimi është gjithmonë që të merret jo vetëm paracetamoli, por çdo bar, në doza sa më të vogla të mundshme.

“Gjithmonë synojmë që një shtatzëni të mbahet në kuadër të vlerave normale pa përdorimin e substancave, por kur është e nevojshme gjithsesi duhet të përdoren ato që janë më të pranueshme për fetusin, e një ndër to është paracetamoli. Zakonisht është zgjidhja e parë kur pacientet janë me temperaturë. Kjo është e domososhme kur temperaturat kalojnë vlerat e normales dhe kur ka dhimbje të caktuar, si prej dhëmbit apo edhe deri më të forta”, ka thënë tutje ajo.

Vetë Demiri-Demolli ka thënë se gjatë tri shtatzënive të saj ka përdorur paracetamol.

“Sikur të ishte vetëm paracetamoli shkaktar i autizmit ne do të ishim shumë fatlum me këtë zbulim sepse është gjendje që na tronditë të gjithëve, por është multifaktoriale dhe shumica e faktorëve nuk janë zbuluar se me çka lidhet direkt autizmi e aq më pak paracetamoli”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, Hatixhe Hoxha, drejtoreshë në shoqatën “Autizmi”, ka thënë se çdo deklaratë në adresë të autizmit pritet me shumë interes nga familjet. Megjithatë sipas saj, duhen shumë eksperimente e prova që të shihet sa janë të qëndrueshme pretendimet.

Ajo ka thënë se deklarata është parë me shqetësim nga prindërit e rinj, por ka përsëritur se megjithatë ende nuk janë parë të gjitha faktet.

“Me shumë familjarë që punojmë dhe i takojmë nëpër familjet tona nuk është decidivisht që kanë përdorur aq shumë paracetamol dhe që ka mundur ta afektojë për të pasur gjë të tillë. Duhet marrë me shumë rezervë. Te këto gjëra duhet të flasin me kompetencë të thirrurit, të flasin shkencëtarët, ata që merren me këtë fushë”, ka thënë ajo.

Hoxha ka thënë se deklaratat e paargumentuara mund të nxisin edhe anët negative, duke marrë shembull refuzimin e vaksinimeve në disa çështje, e që mosmarrja e tyre ka mundur të sillte pasoja të tjera te njerëzit. “Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm me nënat dhe familjet. Të mos japim deklarata pa qenë shumë të faktuara”, ka shtuar ajo.

“Edhe familjet, edhe prindërit, edhe nënat shtatzëna duhet të jenë të kujdesshme të mos marrin shumë barna, por kur është e domosdoshme që të rrezikon edhe nënën apo edhe fëmijën e paralindur... kjo është thikë me dy tehe. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me barnat. Ne duhet të presim shumë të argumentohen, të faktohen e pastaj informatat të dalin për opinionin”, ka thënë tutje ajo.

Sipas Hoxhës, numri i rasteve me autizëm ka shënuar rritje të madhe në botë, por ka thënë se kjo mund të varet nga shumë faktorë të ndryshëm.

Autoritetet shëndetësore në Evropë dhe ato në Kosovë kanë reaguar pas paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për lidhjen e mundshme midis përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rritjes së rasteve me autizëm te fëmijët. Në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) kanë theksuar se nuk ka prova shkencore që e vërtetojnë këtë lidhje, përderisa kanë shtuar se përdorimi i paracetamolit mbetet i sigurt. Qëndrim të njëjtë kanë shprehur edhe në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore.