Është ndërprerë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve, Festim Ramadani dhe Jeton Misini, për vrasjen e Sadri Sadriut, më 16 gusht të vitit të kaluar. Gjyqtari mori vendim që seanca të mbahet me 29 shtator, pasi mbrojtjen e të akuzuarve e kishin zëvendësuar dy avokatë të tjerë.
Dy kërkesa kontradiktore u paraqitën këtë të enjte në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në seancën e shqyrtimit fillestar ndaj ish-policit Festim Ramadani dhe Jeton Misinit, të akuzuar për vrasjen e Sadri Sadriut, më 16 gusht të vitit të kaluar, në një restorant në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Avokati zëvendësues i të akuzuarit Festim Ramadani, Naim Ferati, dhe i akuzuari patën qëndrime të kundërta.
“Kërkojmë që në këtë seancë të mos vazhdojmë me leximin e aktakuzës, ku do të jetë edhe avokati kryesor, duke pasë parasysh që nuk i kemi të gjitha shkresat e lëndës. Në nuk mund të deklarohemi për rrethanat lehtësuese dhe rënduese për klientin”, tha avokati Naim Ferati.
“Unë kërkoj që të mos shtyhet seanca dhe të deklarohem për fajësinë ose pafajësinë time. Kështu që avokati kryesor nuk është konsultuar me mua për shtyrje të seancës. Andaj, unë kërkoj që sot të mbahet dhe të deklarohem rreth fajësisë”, tha i akuzuari Festim Ramadani.
Njëjtë si i akuzuari, propozim që të mbahej seanca patën edhe prokurori i rastit, Valdet Avdiu, si dhe avokati i palës së dëmtuar, Shemsedin Piraj.
Por shtyrjes të seancës kërkoi edhe avokati i të akuzuarit Jeton Misini, Driton Sejdiu.
E përveç kërkesës për shtyrje të seancës, mbrojtja e ish-policit Festim Ramadani, kërkoi që atij t’i bëhet edhe një ekzaminim psikiatrik.
Por edhe këtë propozim e kundërshtoi i akuzuari Ramadani.
“Unë nuk mendoj që duhet me shku në ekzaminim për këtë çështje. Unë herën e parë e kam ndërpre ekzaminimin, kam kërku që me ardhë këtu që në gjyq që me ardhë me kallxu për këtë çështje”, tha Ramadani.
E për këto dy kërkesa, gjyqtari Bytyqi i mori dy vendime të ndryshme.
“Refuzohet kërkesa për ekzaminim psikiatrik dhe transferim të të pandehurit Festim Ramadani në Institutin e Psikiatrisë, me arsyetimin se ndaj të njëjtit Gjykata me datën 04.06.2025, ka pranuar nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, raportin e ekzaminimit me konstatimet. Aprovohet kërkesa e avokatëve mbrojtës për shtyrje të shqyrtimit fillestar, me arsyetim se të njëjtin vetëm i kanë paraqitur kërkesat e avokatëve mbrojtës dhe nuk janë të aftë të deklarohen më tutje, për shkak që nuk e njohin materien e kësaj çështjeje penale”, tha gjyqtari Bytyqi.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër Festim Ramadanit dhe Jeton Misinit, për vrasjen në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt vitin e kaluar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se vrasja u bë “me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare”.