Analistët politikë, Agim Sopi e Melazim Koci, kanë thënë se me aktgjykimet për çështjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka krijuar “lëmsh”.
Të premten, Kuvendi u konstituua gjashtë muaj pas hapjes së seancës konstituive. Deputetët zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Pasi emrat e Listës Serbe dështuan të zgjidhen duke mos marrë mbështetjen e shumicës, kjo parti u shpreh se do të ankohet sërish në Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Rashiqit.
E sipas Sopit, Kushtetuesja me vendime të paqarta “nuk po i jep fund asnjë gjëje saktësisht”.
“Kur nuk bëhet si në rastin e zgjedhjes së Qeverisë që parashihet se çka duhet të bëhet e si, kështu vijnë pasojat”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të premten.
Ai është ankuar edhe në mungesë të pasojave që duhet të paraqiten për ata që shkelin Kushtetutën.
Ndërkaq Koci ka thënë se nëse Lista Serbe do të ankohet në Kushtetuese, ka rrezik që të ketë sërish masë pezullimi. Ai ka shprehur drojën se Kushtetuesja do të ketë shumë vështirë të konstatojë se sot nuk ka pasur shkelje.
“Mendoj se këtu do ta kishte shumë të vështirë të vendosë sepse nëse mbështetemi vetëm në Kushtetutë, kuvendi është i konstituuar por jo nëse merret parasysh aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai duke shtuar se kjo dilemë vjen nga pika që thekson se propozimi i takon shumicës së komunitetit serb.
“Druaj se mund të thonë se zgjedhja s’është kushtetuese, ose duhet ta demantojnë vetveten”, ka shtuar ai.
Sipas Kocit, Kushtetuesja është thirrur në aktgjykimet e mëparshme te rastet tjera, por jo edhe në aktgjykimet e fundit.
Ditë më parë, Kushtetuesja konstatoi se Kuvendi mund të votojë ndaras për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve, pas ankesës së Listës Serbe nga seancat e mëhershme. Aty u ritheksua se deputetët mund të votojnë deri në tri raste për një propozim për kryetar apo nënkryetar. E të premten, deputetët e Listës Serbe nuk morën mbështetjen.
Derisa radha për t’u votuar i erdhi Nenad Rashiqit, deputetit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lista Serbe dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për nëntë deputetët e saj. Tri procese votimi u organizuan për secilin nga deputetët: Slavko Simiq, Zlatan Elek, Liljana Stefanoviq, Miljana Nikoliq, Branislav Nikoliq, Stefan Kovaçeviq, Srdjan Popoviq e Igor Simiq. Por, asnjëri nga ta nuk mori më shumë se 9 vota të deputetëve, nga 105 deputetë sa morën pjesë në votim. Kundër tyre votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe shumica e deputetëve të grupit multientik. Ndërkaq, abstenuan deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së. E, disa nga deputetët e nga komunitetet joserbe herë abstenonin e herë nuk merrnin pjesë në votim.
Pas dështimit të deputetëve të Listës Serbe, kryeparlamentari Dimal Basha, bëri thirrje që kjo parti të propozojë për nënkryetar deputetin, Nenad Rashiq.
Përgjigje nuk mori nga Lista Serbe. Kërkesën e përsëriti edhe njëherë e për t’u konsultuar te foltorja i shkoi deputeti Igor Simiq. Thirrje Listës Serbe i bëri edhe për herë të tretë.
Por Simiq i Listës Serbe tha se në votim kanë nxjerrë kandidatët që i përkrahin dhe se nëse ndërmerren veprime të tjera atëherë do të shkelnin rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkonte që nga Lista Serbe të deklarohen që refuzojnë propozimin e Nenad Rashiqit, për nënkryetar të Kuvendit.
Në interpretimin e deputetit të Listës Serbe, propozimi i Rashiqit do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ne nuk do të marrim pjesë në shkeljen e Kushtetutës dhe nuk do të na detyroni në këtë gjë”, deklaroi Simiq.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit konstatoi se Lista Serbe refuzon të propozojë të vetmin deputet serb, që nuk iu nënshtrua votimit. Ai tha se, në bazë të rregullores, në rrethanë të tillë vihet në funksion procedura e shortit si mekanizëm debllokues.
“Kjo është në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, arsyetoi Basha.
Por, më pas tha se shorti nuk ka nevojë të zhvillohet, meqë bëhet fjalë vetëm për një deputet. Basha e vuri në votim zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit. Me votat e deputetëve të Vetëvendosjes, të Lidhjes Demokratike e të pakicave joserbe, Rashiqi u zgjodh nënkryetar. Kundër votuan nëntë deputetët e Listës Serbe e abstenuan ata të PDK-së e të AAK-së. Për Rashiqin votuan 71 deputetë, kundër ishin 9 deputetë, ndërsa 24 abstenuan.
Me zgjedhjen e tij, kryeparlamentari Basha e konstatoi të konstituuar Kuvendin.