Arbëri

Sveçla: S’ka marrëveshje mes Komunës dhe Policisë për gjoba në parkingje të Prishtinës

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se nuk ka marrëveshje mes Komunës së Prishtinës, ndërmarrjes “Prishtina Parking” dhe Inspektoratit me Policinë e Kosovës në lidhje me gjoba për parkingje. 

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Sveçla ka thënë se Policia nuk mund t’i dënojë qytetarët pse e kanë parkuar veturën në parking.

Ai ka shtuar se ka shumë paqartësi lidhur me mënyrën se si do të funksionojë parkimi në Prishtinë pas vendimit të Supremes.

“Kemi dëgjuar këto ditë se gjoba do të shqiptojë edhe Policia, mirëpo kjo është e pavërtetë sepse Komuna e Prishtinës, ndërmarrja ‘Prishtina Parking’ dhe Inspektorati nuk kanë marrëveshje me Policinë e Kosovës në lidhje me gjoba për parking. Fundja si mund të të dënojë Policia nëse e ke parkuar veturën në vendparking, Policia mund të të dënojë për jashtë vendparkimit. Ka shumë paqartësi dhe kjo çka po ndodh është abuzim me qytetarët, me paratë e tyre, sepse po taksohen dhe po paguajnë bileta pa një bazë të mirëfilltë ligjore”, ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se nuk ka as kapacitete humane të mjaftueshme të Inspektoratit komunal.

“Kemi dyshimet tona mbi kapacitetet humane të Inspektoratit komunal. Numri i inspektorëve komunalë është mjaft i vogël”, ka thënë ai.

Ndonëse ka theksuar se partia e tij e sheh të domosdoshëm operimin e ndërmarrjes, Sveçla ka akuzuar kryetarin Përparim Rama për vendime të paligjshme. 

“Z.Rama ka marrë një vendim të paligjshëm për shkak se, siç jemi në dijeni, në maj të këtij viti Gjykata Supreme ka marrë një aktgjykim ku disa nene të rregullores aktuale për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet i ka shpallur të jashtëligjshme. Rrjedhimisht për të operuar ndërmarrja do të duhej që fillimisht rregullorja të vijë në kuvendin komunal për plotësim-ndryshim dhe të plotësohen nenet që janë shfuqizuar nga Supremja. Do të duhej t’i kalonte të gjithë hapat ligjorë të paraparë dhe tek pastaj të fillojë funksionalizimi në terren. Z.Rama ka marrë një vendim kokë në vete që është i paligjshëm dhe jam shumë i bindur se të gjitha gjobat eventuale që u jepen qytetarëve të Prishtinës sot dhe ditëve në vazhdim janë të paligjshme. Sipas vendimit të z.Rama dhe asaj që e ka thënë në rrjetet sociale, më duhet ta theksoj se ka pasur një mungesë totale të transparencës, qytetarët nuk janë të informuar se si do të funksionojë tani ‘Prishtina Parkingu’, ne mendojmë se rregullorja do të duhej të vinte fillimisht në Kuvendin Komunal”, ka thënë ai.